"Asnjë votë s'ia ofruat për t'u rizgjedhur Vjosa Osmanit": Presidenca i reagon ashpër Nagavcit - NACIONALE

"Asnjë votë s'ia ofruat për t'u rizgjedhur Vjosa Osmanit": Presidenca i reagon ashpër Nagavcit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Manipulim e ka quajtur Presidenca e Kosovës pretendimin e Vetëvendosjes se i kanë ofruar Vjosa Osmanit 30 nënshkrime për kandidaturë presidenciale kundër Konjufcës, nga i cili do të mbivotohej. Kjo thjesht për kanditaturë “formale”, thanë nga Presidenca.

Learta Hollaj, këshilltare e Osmanit në reagim ndaj Arbërie Nagavcit tha se “nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por veç të bëhet formalitet.”

Postimi i Hollajt:

Zonja Arbërie Nagavci,

Besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues.

Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta.

Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla.

Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!

Lajme të ngjashme