Asamblistja e LDK-së e cilëson “puç” veprimet e opozitës në Komunën e Prishtinës: Bën pazare të pista personale - NACIONALE

Asamblistja e LDK-së e cilëson “puç” veprimet e opozitës në Komunën e Prishtinës: Bën pazare të pista personale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefja e Grupit të Asambleistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna e ka cilësuar si puç politik veprimin e opozitës në komunë për shkarkimin e 20 aksionarëve të 10 ndërmarrjeve publike komunale.

Rafuna përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është e turpshme për shkak të pazareve të pista personale në mes të partive opozitare dhe grupeve të interesit.

“Grupi i Asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës është i shqetësuar me komplotin politik që ka ndodhur sot në Kuvendin Komunal të kryeqytetit! Ky komplot (puç) politik përveç që përmban elemente të kundërligjshme, është edhe i turpshëm për shkak të pazareve të pista personale në mes te partive opozitare dhe grupeve te interesit, te cilët nuk e dojnë zhvillimin e qytetit dhe nuk e përfaqësojnë interesin e qytetarëve të Prishtinës.” – ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka thënë se puna e madhe dhe zhvillimi që është duke ndodhur në kryeqytet i ka kompleksuar rëndë opozitën.

Rafuna është shprehur se do të vazhdojnë punën dhe angazhimin, pavarësisht veprimeve të vazhdueshme bllokuese të opozitës që kanë për qëllim realizimin e interesave personal.

“Puna e madhe dhe zhvillimi që po ndodh në kryeqytet ka kompleksuar rëndë opozitën e cila në tentativën e vet për të kapur ndërmarrjet do të dëmtoj rëndë këto ndërmarrje, por edhe projektet e shumta që janë duke u realizuar. Prandaj, ne si asambleistë të LDK-së në kryeqytet, pavarësisht veprimeve të vazhdueshme bllokuese të opozitës që për qëllim kanë realizimin e interesave personale dhe të grupeve të ndryshme të interesit, do të vazhdojmë punën dhe angazhimin tonë bashkë me kryetarin dhe ekzekutivin në të mirë të transformimit të Prishtinës.” – ka përfunduar Rafuna.

Lajme të ngjashme