"As që e dinte se kishte lënduar dikë": Avokati tregon se çka i tha Azem Kurtaj për rastin në Shtërpcë - NACIONALE

"As që e dinte se kishte lënduar dikë": Avokati tregon se çka i tha Azem Kurtaj për rastin në Shtërpcë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot në Gjykatën Themelore të Ferizajt është mbajtur seanca ndaj Azem Kurtajt, i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, mbrëmjen e së premtes.

Avokati i të dyshuarit, Naim Ferati, ka treguar se klienti i tij, njëherit ushtar i FSK-së, ka qenë duke udhëtuar për në Brezovicë, në momentin kur “është sulmuar nga një turmë e njerëzve që po festonin”.

Klan Kosova citon avokatin të ketë thënë se Kurtaj ka gjuajtur në ajër fillimisht, por se turma nuk është larguar.

“Të premten pasdite i mbrojturi im së bashku me mikun e tij ishin duke udhëtuar për në Brezovicë, papritmas gjatë rrugës në një vend të caktuar, bllokohen nga një turmë e njerëzve, të cilët po festonin dhe në befasi sulmohen me mjete.” – ka thënë ai.

I njëjti, citohet të ketë thënë se Kurtaj ka gjuajtur edhe drejt tokës dhe në atë moment, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ka qenë i informuar se dikush është lënduar.

Tutje, i njëjti me të arritur në Prevallë, ka kuptuar në rrjete sociale se dikush është lënduar.

“Në bazë të rrezikut, i njëjti ka provuar të largohet, ka qenë i bllokuar nga turma vetura e tij, në vetëmbrojtje me qëllim të spostimit apo të largimit të rrezikut, ka shkrepur një herë me armën e tij që e kishte në posedim, armën e tij personale. Ka shkrepur një herë njëherë në ajër, që të largohet masa. Për shkak të rrethanave dhe të sulmit që ka pësuar në ato momente, i njëjti është detyruar që të shkrepë edhe njëherë në drejtim të tokës, këtë rast drejt asfaltit, dhe në ato momente ka arritur të largohet nga vendi, pa qenë i informuar se dikush mund të jetë i lënduar. Ka shkuar në Prevallë, dhe nga rrjetet sociale ka kuptuar se dikush mund të jetë lënduar.” – tha avokati Ferati.

Lajme të ngjashme