As në kohë fushate Kurti s’shpëton nga kërkesat për Asociacionin, tash Franca: Drafti të dërgohet në Gjykatë Kushtuese
“Artikull gazete e jo-dokument”.
Një-nga-një shtetet e QUINT-it po vazhdojnë – edhe me pritshmëri inekzistente, për shkak se fushatë zgjedhore – të kërkojnë miratimin me dekret qeveritar dhe dërgimin për rishikim kushtetues të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Më e fundit Franca: pas përsëritjes të së njëjtës kërkesë nga ShBA, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Raporti i Komisionit Evropian.
Ambasadori francez, Oliver Guerrot, hiç më larg se sot shpjegoi se “në çdo mundësi” që u vjen i kërkojnë qeverisë kosovare për të miratuar tekstin.
“Në veçanti ne i theksojmë Kosovës rëndësinë që ta dërgojmë draft-Statutin evropian të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në Gjykatënb Kushtetuese”.
“Ne dhe kolegët tonë nga QUINT-i e BE-ja, jemi në veçanti të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të njëanshme me impakte potencialisht serioze te popullata serbe, e në veçanti në fushën e arsimit dhe shëndetësisë (strukturat paralele)”, tha Guerrot për Kosovo-Online.
Qeveria e Kosovës s’ka qenë e qartë nëse do t’i mbyllë institucionet paralale shëndetësore dhe të arsimit, por ka bërë të ditur se ato “përbëjnë problem” dhe se do të shihet zgjidhje brenda ligjeve të Kosovës.
Guerrot, megjithatë, tha se QUINT-i zgjidhjen e këtyre e sheh “përbrenda Asociacionit”; ndërsa s’llogariti kundërshtitë e qeverisë kosovare karshi Marrëveshjes Bazike se “pa nënshkrim, nuk ka zbatim”. Zbatimi i marrëveshjes është kryekëput i lidhur me rrugën europiane të Kosovës, argumentoi ambasadori.
“Franca mbështet fuqimisht përpjekjet e ndërmjetësimit evropian. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen sa më shpejt nga të dyja palët. Këto marrëveshje janë ligjërisht të detyrueshme”.
“Zbatimi i tyre është përfshirë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë, si dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizim të Kosovës dhe zbatimi i tyre do të jetë vendimtar për integrimet evropiane dhe Serbisë dhe Kosovës”, tha Guerrot.
Qeveria e Kosovës ditëve të fundit i ka qëndruar linjës së fundit se dokumenti “është jodokument” dhe se si i tillë nuk është valid për shtetin kosovar.
"Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara", pati thënë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Po të njëjtën ditë pati replikë nga Bashkimi Evropian se konsiderimi i atij teksti si “non paper” është shpërfillje e obligimeve të marra.
“Ta quash draft-statutin evropian si thjeshtë një ‘non-paper’, paraqet mospërfillje të ftesës së Këshillit të Bashkimit Evropian që të veprohet në bazë të tij pa vonesa të reja drejt themelimit të Asociacionit”, tha ditëve të fundit Peter Stano.
“Në konkluzionet e dhjetorit të vitit 2023, Këshilli Evropian mirëpriti gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për ta pranuar draft-statutin e propozuar palëve nga ana e lehtësuesit të BE-së. Kjo paraqet pranim formal të dokumentit nga të gjithë 27 vendet anëtare“, theksoi Stano.
Çfarë u tha në Raportin e KE-së?
Asociacioni, pastaj paralelisht nisja e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.
Në këto dy traka vendosen obligimet e palëve të marra në Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit të shkruara në dy Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë.
Renditja, megjithatë – sintaksisht – ia rëndon barrën e parë Kosovës me miratimin e draft-Statutit të BE-së për Asociacionit (i ofruar më 21 tetor, 2023) dhe dërgimi i tekstit për rishikim kushtetues në Gjykatln Kushtetuese.
Pas kësaj, Serbisë i kërkohet “në paralel” të nis zbatimin e obligmeve të saj: njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucionet e Kosovës.
Marrëveshja si e tillë – kështu siç është – jepet për “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme” ndërsa shpërfillen çfarëdo kërkesa për formalizimin e saj: përkatësisht, atë çka Kosova kërkon me nënshkrim bilateral dhe deponim të saj të Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Për më tepër, draft-Statuti i Asociacionit vlerësohet nga KE të jetë “plotësisht në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës”.
“Kosova pritet të fillojë procesin që çon në themelimin e A/CSM bazuar në propozimin evropian të paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Serbia pritet të fillojë të përmbushë obligimet e saj nga Marrëveshja paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve”, thuhet identikisht në dy raportet.
“Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët dhe çdo formalitet, përfshirë miratimin ose ‘formalizimin’ e saj, nuk duhet të pengojë përparimin në zbatimin e saj. Palët gjithashtu kanë detyrimin të zbatojnë plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar”.
“Konstruktiviteti i Palëve do të vlerësohet bazuar vetëm në performancën e tyre të zbatimit. Normalizimi i marrëdhënieve mbetet një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, thuhet në Raportin e KE-së.