Arsyetimet e VV-së për skandalin me punësime në KEK, plus 6 minutat në CNN - NACIONALE

Arsyetimet e VV-së për skandalin me punësime në KEK, plus 6 minutat në CNN

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një fantazmë po i sillet mbi krye Lëvizjes Vetëvendosje, është ajo e Adem Grabovcit*!

Një herë e një kohë – sa ishte në opozitë – Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kritikonte e sulmonte ashpër punësimet familjare e partiake të partive të mëhershme në pushtet. Kjo kishte mbushur shpresë qytetarët e vendit se të paktën kjo parti do ta luftonte dukurinë e shëmtuar në fjalë sapo të merrte dizgjinat e qeverisë. Sidoqoftë kjo nuk ndodhi, e në vend të luftës ndaj punësimeve me “të njohur”, kemi përpjekjen e arsyetimit të saj.

“Familjarët janë për dasma, jo për institucione”, kishte thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

Sidoqoftë, kjo thënie e tij – ani pse u dëgjua nga e gjithë Kosova – duket se nuk u dëgjua (ose u dëgjua ndryshe) nga anëtarët e Vetëvendosjes, të cilëve me ose pa dijeninë e tyre po u punësohen familjarët në institucionet publike.

“Familjarët e partive tjera janë për dasma, familjarët tanë për institucione”, mund të jetë ajo që kanë dëgjuar bashkëpartiakët e Kurtit.

Pa dijeninë e Glauk Konjufcës ishte punësuar xhaxhai i tij. Pa dijeninë e Besnik Bislimit ishte punësuar nipi i tij. Pa dijeninë e Jahja Kokës ishte avancuar mbesa e tij. E kështu me radhë.

Por, skandali i fundit në KEK është aq i madh e aq i turpshëm sa është e zorshme edhe të imagjinohet një përpjekje arsyetimi.

Megjithatë, nuk është fare e nevojshme imagjinata në këtë rast sepse ajo tashmë ka ndodhur.

A R S Y E T I M E T e deritashme

E para që foli për këtë rast ishte hiç më pak se ministrja e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu. Pra, mu ajo politikane që ka pushtetin për t’i ndjekur këto raste të neveritshme. Por, ajo që tha ministrja është një shfajësim në formë kundër-sulmi.

“Duke pasur parasysh sulmet në vazhdimësi ndaj qeverisë tonë mund të pritet që këto të jenë akuza të pabaza dhe të padrejta. Por, unë e përshëndes nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim, pavarësisht qëllimit që ka, duhet të mbyllet”, u shpreh ajo.

Pra, me fjalë të tjera, znj. Haxhiu po thotë atë që thonin edhe zyrtarët e AAK-së e PDK-së e LDK-së kur pas akuzave për punësime familjare shpreheshin “shkoni në Prokurori”.

Përnjëmend a?

Sulm ndaj medieve dhe shfajësim bëri edhe ish-këshilltari i Agim Bahtirit dhe ish-kandidati për deputet, Avni Zogiani.

“A kanë gabime strukturat udhëheqëse të korporatës?!

Po! Duhej shumë më shumë vëmendje rreth Komisionit te Punësimeve, të cilët po ashtu nuk kanë ndonjë lidhje me VV edhe përkunder faktit se nga media dhe opozita po provohet të shiten si funksionarë të rëndësishëm të subjektit”, tha ndër tjerash ai.

Pra, shfajësohu dhe mëshoju medieve.

Një tjetër shfajësim u bë edhe nga deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi.

“Me sa shoh, Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai.

Diferencim 20 vjeçar? Në fakt, Vetëvendosje është themeluar në vitin 2005 dhe diferencimi në fjalë as teknikisht nuk ishte i mundshëm. Përveç kësaj, nuk ka pasur asnjëherë ankesa, madje as nga vetë aktivistët e partisë së Kurtit se dikush po i diskriminonte për shkak të angazhimit politik. Diskriminimi ndodhte ndaj qytetarëve të rëndomtë. E edhe kjo që bëri VV në KEK dëmton pikërisht qytetarët e rëndomtë, dhe jo anëtarët e ndonjë partie tjetër.

Në anën tjetër, Krenar Shala – një analist që mbështet hapur partinë e Kurtit – u lodh po ashtu për të dhënë arsyetimin nga këndvështrimi i tij.

“Kjo është ndryshimi. Ndryshimi nuk është me qenë pa gabime. Ndryshimi është me u bë e madhe diçka edhe me reagu shteti”, u shpreh z. Shala.

Përveç që ndryshimi është fjalë e gjinisë mashkullore dhe prandaj duhej të niste me “Ky është ndryshimi”, kjo përbën një shkelje flagrante të qëndrimeve të mëhershme. Për më tepër, kjo është e ngjashme me reagimet e bëra nga ana e ish-zyrtarëve të PDK-së që thonin se “gabime janë bërë por është arritur shumë për 20 vjet”.

S P I N I

Gjatë ditës së djeshme, aktivistët e Vetëvendosjes provuan që ta bënin të madhe një intervistë të dhënë nga Kurti për rrjetin televiziv CNN.

Në fakt, ai kishte folur në emisionin “Global Brief” për vetëm 6 minuta duke përsëritur ato fjalë që i kishte thënë edhe në intervista të tjera.

Për më tepër, se kishim të bënim me një përpjekje për të shmangur vëmendjen e publikut nga ky skandal na u bë e qartë kur kuptuam listën e intervistave që kishte dhënë Kurti në disa rrjete televizive përfshirë Sky News dhe BBC.

Për të lexuar më shumë mbi përpjekjen, ju ftojmë të lexoni duke klikuar KËTU.

*Adem Grabovci është shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si PRONTO për diskriminimet në punësim.

Lajme të ngjashme