Arsimtari i pakënaqur që tha "mashtruam elektoratin" po bëhet deputet i VV-së: Kush është Nasufi? - NACIONALE

Arsimtari i pakënaqur që tha "mashtruam elektoratin" po bëhet deputet i VV-së: Kush është Nasufi?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vasfije Krasniqi Goodman ka vendosur të dorëhiqet nga pozita e deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe kjo duket se do t’i hapë rrugë Nasuf Bejtës për të marrë karrigen e tij. Por, kush është Nasuf Bejta?

Bejta kishte qenë kandidat për deputet në Listën e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit, si pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve të Vjosa Osmanit. Për pak, ai nuk ia doli të futej në Kuvendin e Kosovës, por megjithatë jeta aktive politike e tij nuk përfundoi.

Nasuf Bejta ishte përdorur si kundërkandidat formal i Vjosa Osmanit në seancën e Kuvendit më 4 prill 2021 për president të Kosovës.

Kush është Nasufi?

Nasufi është një qytetar 61 vjeçar nga komuna e vogël e Vushtrrisë, që ka përvojë 32 vjeçare në Arsim dhe që punonte (ndoshta punon ende) si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi”.

Sipas asaj që shkruan Vetëvendosje, z. Bejta është inxhinier i diplomuar, pasi kishte kryer Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Por, ai nuk ishte vetëm bashkëpunëtor i Vjosa Osmanit.

Nasufi kishte qenë edhe një ndër themeluesit e Vetëvendosjes.

“Nasufi do të përqendrohet që të shtyjë përpara çështje që do e pëmirësonin jetën e qytetarit, me fokus të posaçëm në qytetin e Vushtrrisë, në fshatin Smrekonicë, si dhe në zonën e qytetit të Mitrovicës. Ai i mbështet politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe telekomit, si dhe asaj të mirëqenies sociale.” – shkruante Vetëvendosje.

Përplasjet me Vjosën

Por, arsimtari Nasuf Bejta nuk ishte përdorur thjesht si numër për të zgjedhur Vjosa Osmanin si presidente të vendit. Ai në fakt, edhe ishte përplasur me Listën Vjosa (ose Guxo).

Bejta kishte qenë mes personave të pakënaqur të Listës Vjosa, dhe qysh vitin e kaluar kishte pretenduar se “ishte mashtruar elektorati.”

“Asgjë personale nuk kam me të Vetëvendosjes e as me askënd tjetër, por elektoratin e kemi mashtru prej meje dhe të gjithë që kemi qenë në listë të kandidimit,” - kishte thënë ai.

Nasuf Bejta nuk ishte parë mes delegatëve në Kuvendin themeltar të Listës Guxo ku u emëruan dy kryetarë të partisë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla Schwarz.

Lajme të ngjashme