Arrestohet e i bastiset shtëpia gazetarit Stamenkovski që dyshohet se shantazonte spitalin Zhan Mitrev
Një kallëzim penal nga një televizion i Maqedonisë Veriore, si dhe disa viktima të tjera të gazetarit Marjan Stamenkovskit, bën që Prokuroria e Shkupit të aktivizohet. Ata i shkuan në shtëpi gazetarit, për ta arrestuar e bastisur shtëpinë. Aty si prova materiale gjetën para të gatshme, telefona celularë e kompjuterë.
Gazetari kontravers po akuzohet se me shkrimet në portalin e tij shantazhonte, përhapte material racist e ksenofobik, keqpërdorte të dhënat personale etj. Së fundmi akuzës ndaj Stamenkovskit i është bashkuar edhe Klinika e njohur nga Maqedonia e Veriut, Zhan Mitrev.
Klinika ka hedhur dyshime të forta se gazetari Stamenkovski e shantazhonte klinikën sepse është i lidhur me një pronar të një klinike tjetër private në Maqedoni.
Prokuroria në aksion
Më 11 shkurt të këtij viti Prokuroria Themelore në Shkup ka urdhëruar veprime dhe kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit Stamenkovski. Ndaj tij janë ankuar televizione, gazetarë, priftërinjë e së fundmi klinika Zhan Mitrev.
“Me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, në bazë të urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, është bërë bastisje në shtëpinë ku jeton i dyshuari, si dhe bastisje në një sistem kompjuterik dhe në një sistem kompjuterik dhe të dhënat kompjuterike.” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje aty theksohen veprat me të cilat ngarkohet, e ekziston dyshimi mirë i bazuar sipas Prokurorisë.
“Procedura kundër të dyshuarit po zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, sepse ekziston dyshimi i bazuar se përmes një ueb portal që ka në posedim, si mjet për ekzekutim ka kryer disa vepra penale: “Përhapja e racizmit dhe material ksenofob përmes një sistemi kompjuterik”, “Shantazh”, “Pirateria e veprës audiovizive” si dhe veprën “Keqpërdorimi i të dhënave personale”.- thuhet aty.
Klinika Zhan Mitrev e akuzon Stamenkovskin
Klinika Zhan Mitrev dyshon se i dyshuari Stamenkovski është i lidhur me një pronar të një klinike tjetër, e me hetues që kanë nisur procedurë ndaj klinikës.
Prandaj Klinika ka paraqitur kallëzimin e tyre penal ndaj gazetarit, duke u bashkangjitur në akuzat e shumëta ndaj gazetarit kontravers.

Çka thuhet në pretendimet e “Zhan Mitrev”
Prokuroria Themelore Publike duhet të shprehet nëse ekziston lidhje ndërmjet hetuesit që i ka dhënë informata Marjan Stamenkovskit dhe nëse paratë e gjetura në shtëpinë e tij janë nga biznesmeni i njohur nga Shkupi, i cili gjithashtu posedon spital privat, siç raportohet në media.
Klinika Zhan Mitrev ka njoftuar dhe tashmë ka dorëzuar kallëzim penal kundër Marjan Stamenkovskit, pronar i portalit DokazM.
“Në të njëjtën kohë, besojmë se po del në dritë struktura e grupit të organizuar që qëndron pas sulmit që tashmë shtatë muaj po bëhet kundër Klinikës Zhan Mitrev dhe publikisht pyesim: A ka të dhëna nga materialet e gjetura tek Marjan Stamenkovski, për lidhje me biznesmenin e njohur nga Shkupi, pronar i një spitali privat, punonjësi i të cilit ka ngacmuar dhe keqtrajtuar publikisht punonjësit e klinikës sonë?
A ka vepruar hetuesja që i ka dhënë Marjan Stamenkovskit informacione për hetimin kundër Zhan Mitrevit sipas udhëzimeve të biznesmenit? A i ka drejtuar dhe udhëzuar sipas qëllimit të saj prokurorja Iskra Haxhi Vasileva pacientët në procedurën para hetimore?”, thuhet në reagimin e spitalit Zhan Mitrev.
“Apelojmë për publikimin e provave lidhur me rastin e klinikës Zhan Mitrev, ku shihet qartë korrelacioni i Stamenkovskit me hetuesit të cilët kanë pasur informata dhe ndikim të drejtpërdrejtë për të gjithë rastin dhe procedurën. Në një shtet ligjor nuk guxojnë të lejohen ndikimet e jashtme dhe proceset diktuese brenda prokurorisë dhe gjykatës, gjë që ka qenë më shumë se e qartë në rastin për hetimet lidhur me Klinikën tonë. Për shkak të dëmit të shkaktuar në Klinikën Zhan Mitrev, ekipi ligjor kërkon nga PTHP që t’i bashkohet ndjekjes penale”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje në njoftimin e tyre Klinika Zhan Mitrev, ka përmendur me tituj shkrimet që sipas tyre, janë bërë me qëllim shantazhi ndaj klinikës nga gazetari Stamenkovski.
Akuza të tjera
Pas kallëzimit penal të dorëzuar nga një stacion televiziv nga 11.02.2022, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka urdhëruar veprime dhe kontrolle, në bazë të të cilave Departamenti për krime kompjuterike dhe forenzikë digjitale ka ofruar materiale dëshmuese se i dyshuari ka kryer vepër penale - Pirateria e një vepre audiovizive nga Art. .157-b paragrafi 2 cv paragrafi 1 i KP. Që nga fillimi i shkurtit 2022, pa miratimin e distributorit të autorizuar të cilit producenti i filmit ia ka bartur të drejtën e veprës audiovizive, i dyshuari e ka vënë veprën e mbrojtur audiovizuele në dispozicion të publikut në ueb portalin
Me datën 18.05.2022, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër të dyshuarit ka parashtruar kallëzim penal nga dy viktima të veprës penale – Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik nga neni 394, për shkak se në ueb janë publikuar një sërë tekstesh, me të cilat në disa raste ka përhapur urrejtje dhe intolerancë ndaj ankuesve - priftërinjve të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopatës së Ohrit.

Në tekstet e publikuara, i dyshuari pretendonte drejtpërdrejt se priftërinjtë e përmendur ishin të lidhur me shërbime sekrete vendase dhe të huaja, për të shkaktuar revoltë dhe urrejtje ndaj tyre. Tekstet përveç fjalëve fyese, mallkimeve dhe shpifjeve përmbajnë edhe fjalë kërcënuese që nxisin njerëzit të vijnë dhe të dëbojnë priftërinjtë nga manastiri ku shërbejnë. I dyshuari i ka shpërndarë edhe tekstet në profilin e tij në një rrjet social, ku ka nxitur polemika të ashpra, komente fyese dhe gjuhë urrejtjeje për shkak të besimeve fetare.
Kundër Stamenkovskit janë ankuar edhe dy gazetare
Me datën 19.05.2022 kundër të njëjtit është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup nga dy gazetare, të cilat kanë raportuar se në ueb portalin që nga fillimi i vitit 2022 janë publikuar tekste fyese me fotografitë e tyre dhe qëllimi përfundimtar është që ata të frikësohen dhe të pengohen të botojnë artikuj në të përjavshmen në të cilën punojnë. Gjatë procedurës, viktimat kanë dhënë deklaratat e tyre para prokurorit publik kompetent në të cilat kanë argumentuar dyshimet e tyre se sfondi i postimeve në ueb portal ka qenë për t'u bërë presion dhe censurë.
Nuk dihet nëse ndaj Stamenkovskit do të ketë edhe ankues të tjerë, tash kur Prokuroria është aktivizuar. Ajo që dihet është se tashmë për të Prokuroria e Shkupit ka siguruar prova materiale e dëshmitarë.
Nacionale do ta përcjellë me vëmendje këtë rast në shtetin fqinj.

