Arrestohen gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Gjilan, policia jep detaje
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 6 persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Gjilan.
Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se ka prova të mjaftueshme për veprën penale që kanë kryer ata.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim dhe me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, si rezultat i një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot me datën 19.05.2026 kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojë gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve”, ka vlerësuar policia.