Arratisja e Blerim Ramadanit, LSDM-ja thotë se Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it e liruan
Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, ditë më parë është arratisur nga arresti shtëpiak, gjersa priste vendimin për ekstradimin apo jo të tij në Serbi.
Në një reagim, LSDM-ja, parti opozitare në Maqedoni të Veriut, e ka akuzuar qeverinë aktuale, që kryesohet nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe VLEN-i nga radhët e shqiptarët.
Sipas LSDM-së, Ramadani nuk është arratisur, por është liruar nga pushteti aktual në Maqedoninë e Veriut.
“E pyesim se si Mickoski pa hetim dhe pa asnjë informacion nga MPB se si ka ikur Ramadani thotë se LSDM po gënjen”, tha Kuzeska, duke shtuar se lëshimi i Ramadanit është marrëveshje politike, të cilën Mickoski e ka pasur patjetër ta respektojë, transmeton Telegrafi.
Sjellim ndër mend se sot gjatë ditës, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, tha se prokurorët dhe gjyqtarët e Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së, kanë punuar që Ramadani të dorëzohet në Serbi.
“Ajo që është esenciale, ajo që është tejet e rëndësishme, është që këto i përmbahen parimit, natën vrasin ditën të qajnë. Pra, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadani, t’i dërgohet Daçiqit në Serbi që këta këtu të kenë pretekst për protesta dhe destabilizim të situatës. Pra, këta nuk e kanë dertin e ushtarit të UÇK-së, këta e kanë dertin e pretekstit e kauzës për ta destabilizuar situatën, për ta shpëtuar lëkurën e vet nga proceset që i presin për shkak të korrupsionit të madh që kanë bërë viteve të kaluara” – tha Mexhiti.