Mexhiti: Prokurorët e gjykatësit e Ali Ahmetit punuan që Blerim Ramadani të ekstradohet në Serbi
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ka folur rreth rastit të arrestimit e më pas arratisjes së Blerim Ramadanit, ish-ushtar i UÇK-së.
Në një intervistë për një medium në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti ka qenë goxha i drejtpërdrejtë.
Fajin për arrestimin e Ramadani, sipas Mexhitit, e kanë pasur prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit, liderit të BDI-së, që pas shumë viteve në pushtet iku në opozitë.
Sipas Mexhitit, “prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadanit, t’i dërgohet Daçiqit në Serbi”.
“Është punë teknike, e njejta ka ndodhur edhe në të kaluarën me rastet tjera. Ka ndodhur, bile kanë ndihmuar edhe njerëz që kanë vjedhur miliarda në Maqedoni si në çështjen e Gruevskit dhe të tjerëve, prandaj e kanë në mendjen e tyre, i dinë mirë këto procese të ikjes dhe miren me këto. Ajo që është esenciale, ajo që është tejet e rëndësishme, është që këto i përmbahen parimit, natën vrasin ditën të qajnë. Pra, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadani, t’i dërgohet Daçiqit në Serbi që këta këtu të kenë pretekst për protesta dhe destabilizim të situatës. Pra, këta nuk e kanë dertin e ushtarit të UÇK-së, këta e kanë dertin e pretekstit e kauzës për ta destabilizuar situatën, për ta shpëtuar lëkurën e vet nga proceset që i presin për shkak të korrupsionit të madh që kanë bërë viteve të kaluara. Këta kanë shkruar në ekstrem, nuk di çka kanë dashur. Sikur kanë dashur të ekstradohet ushtari në Serbi duke i fërkuar duart që të ketë arsye për protesta. Pra, edhe një herë e potencoj, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar kundër ushtarit të UçK-së. Nuk mund të shihet ndryshe, kur e dimë që gjykata supreme ka 4-5 gjykatës të BDI-së, të afërt, dhe të njejtit për rastet tjera kanë sjellë vendim që nuk ka bazë dhe duhet të lirohen ndërsa tash gjykata supreme e rikthen rastin në rishqyrtim, ku shimca e gjykatësve aty janë shqiptarë dhe kryesisht të afërt me Bashkimin Demokratik”, tha Mexhiti për gazetën LAJM.