“Arkivolin ma dërgoni te Shtabi i UÇK-së”: A do të mundet Nasim Haradinaj ta plotësojë amanetin e fundit të vëllait të vet? - NACIONALE

“Arkivolin ma dërgoni te Shtabi i UÇK-së”: A do të mundet Nasim Haradinaj ta plotësojë amanetin e fundit të vëllait të vet?

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Të enjten, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë Agron Haradinaj, vëllai i Nasim Haradinajt, i cili tash e disa vjet po gjykohet në Hagë. Agroni, as në momentet më të vështria, nuk mundi që ta kishte pranë vëllanë e tij, Nasimin, edhe pse ky kishte kërkuar leje disa herë nga Dhomat e Specializuara në Hagë që të shkonte e ta vizitonte vëllanë. Agroni, për më shumë se tre muaj, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në një spial në Gjermani.

Mungesën e vëllait po e ndiente çdoherë Agroni. E në momentet e fundit, Agroni, ish-pjestar i UÇK-së, la disa amanete.

Ai u kërkoi familjarëve që, kur të vdiste, trupin me arkivol, në shoqërinë e miqve, bashkëluftëtarëve e dashamirëve, në rresht me turmën e xhematit, ta dërgonin fillimisht te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Gllogjan, aty ku në moshë të re e nisi betejën për çlirimin e Kosovës.

Agroni kërkoi, po ashtu, që familja t’i priste qytetarët për kryeshëndoshë tetë orë në ditë për dy ditë rresht.

"I ka lanë disa porosi në dy-tri pika. Porositë e Agronit kanë qenë më shku deri në Shtabin e Zonës Operative të UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, ku ka qenë edhe trualli i tyre"- rrëfen për Nacionalen Bujari, i afërm i Agronit të ndjerë.

Ai shpjegon edhe se si Agroni e kishte marrë sëmundjen gjatë kohës së luftës.

"Ka qenë një aksion në Prilep, kur atë kohë është bombardu prej aeroplanave serbë. Prej aty, Agroni ka pasur një goditje gogja të madhe prapa kokës. Atëherë nuk është hetuar shumë. Pas disa viteve, Agroni ka fillu me u trajtu si pasojë e telasheve shëndetësore. Ka qenë një sëmundje e rrallë. Kjo sëmundje nuk ka mundur të shërohet gjithkund. Për një periudhë kohore është trajtu kohë pas kohe në Gjermani. Por pastaj është dashtë që të shtrohej në spital, në mjekimin intensiv"- shpjegon Bujari.

E nga familja shpresojnë se Nasim Haradinaj do të mund të jetë i pranishëm për t’ia jetësuar amanetin e fundit vëllait tashmë të ndjerë, Agronit.

Kemi bërë kërkesë. Po shpresojmë se Nasimi do të mund të vijë në varrim”- tha familja.

Kush ishte Agron Haradinaj?

Agron Haradinaj, njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë, e shkaktuar nga presioni i shpërthimit të raketës së hedhur nga avionët e ushtrisë serbe në fshatin Prilep të Deçanit, vdiq të enjten. Të pikëlluar për vdekjen e tij ishin shumë bashkëluftëtarë të Agronit, të cilët në ngushëllimet e tyre rrëfyen shumë të pathëna për kontributin e tij në luftën për liri.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Agroni ka qenë gjithmonë në shërbim të vendit. Ai tha se Agroni ka qenë një ndër luftëtarët më të aftë të Ushtrisë Çlirimtare.

“Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Agronit! Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj. Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare” – shkroi Haradinaj mes tjerash në Facebook.

I shokuar nga vdekja e Agron Haradinajt ishte edhe Xhavit Haliti, i cili, përmes një postimi në "Facebook", tregoi se si Agroni që i ri e kishte ndjekur rrugëtimin tradicional të familjes për atdhedashuri.

Haliti tha se Agroni ishte njëri nga të burgosurit politik dhe njëri nga ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më la pa fjalë lajmi për vdekjen e Agron Haradinajt. Agroni qysh si i ri e ndoqi traditën famlijare në rrugën e atdhedashurisë. Ishte një nga të burgosurit politikë më të rinj në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së. Ngushëllime familjes Haradinaj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe shokëve të Agronit! Agron, u prehsh në paqe” – tha Haliti.

E dëshpëruar për vdekjen e ish-luftëtarit të UÇK-së është shprehur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e ka ndarë momentin e takimit me vëllain e tij, Nasim Haradinaj, i cili ndodhet në Hagë së bashku me disa ish-udhëheqës të UÇK-së.

“Herën e fundit u takuam në Rosenheim me ty, Agron. Të kishte rënduar sëmundja shumë, por nuk e kishe humbur shpresën se do ta takoje edhe njëherë heroin tënd e të shqiptarëve, Nasimin. U përlote, kur në sallë mbi 400 veta u ngritën në këmbë sapo u përmend emri yt. Ata lot nuk ishin lot ligshtimi ishin lot krenarie. Sot dhimbjet tua pushuan, por jehona e veprës tënde për atdhe jehon me shumë se kurrë. Ndaj dhimbjen me Familjen Haradinaj dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Shpirti yt pushoftë në paqen e përjetësisë, Agron” – shkroi Musliu në Facebook.

Daut Haradinaj, bashkëluftëtari i të ndjerit Agron Haradinaj, përmes një shkrimi në "Facebook", i ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta.

Lajme të ngjashme