Arbërie Nagavci përdori fjalën "përgjegjësi" për t'i ikur përgjegjësisë për dhunimin seksual të 11-vjeçares - NACIONALE

Arbërie Nagavci përdori fjalën "përgjegjësi" për t'i ikur përgjegjësisë për dhunimin seksual të 11-vjeçares

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rasti i dhunimit seksual të një vajze 11 vjeçare ka tronditur opinionin publik. Por, tronditja u bë edhe më e madhe kur u kuptua se mes pesë të dyshuarve për dhunim seksual ishin edhe tre fëmijë, potencialisht nxënës të sistemit tonë shkollor. Por, sa përgjegjëse ndihej znj. Nagavci?

Nagavci e thirri një konferencë për medie, e ku fjalën përgjegjësi e përdori që t’i ikte përgjegjësisë.

Në rastin që ndodhi më 27 gusht, e shtunë, ishin të përfshirë katër qytetarë të mitur – përfshirë viktima. Tre nga pesë të dyshuarit për dhunim seksual ishin të moshës 16, dhe respektivisht 15.

Vajza 11 vjeçare mund të ishte pjesë e klasës së pestë ose gjashtë po të ndiqte rregullisht mësimet. Ndërkohë, tre të miturit e dyshuar për dhunim seksual mund të ishin pjesë e shkollës së mesme të lartë.

Çka tha Nagavci?

Nagavci nisi të fliste për rastin menjëherë duke e “dënuar fuqishëm” aktin por pa dhënë ndonjë ide për masa konkrete emergjente. Po ashtu, ministrja u shpreh se sigurinë e nxënësve do ta kishin “top-prioritet”.

“E dënoj fuqishëm aktin e dhunimit të 11 vjeçares. Vajzat dhe djemtë tanë kanë të drejtë që të rriten në ambiente të sigurta dhe ne duhet t’u ofrojmë këtë siguri. Të gjitha palët duhet të japin përgjegjësi për këtë akt. Për ne si MAShT, për vitin e ri shkollor, siguria e fëmijëve është top prioritet”, u shpreh znj. Nagavci.

Ajo u pyet nga gazeta Nacionale në lidhje me përgjegjësinë konkrete që i takonte për rastin në fjalë, por dështoi të formulonte përgjigje të qartë duke përmendur fjalën përgjegjësi që t’i ikte përgjegjësisë.

“Jo rastësisht e përmenda edhe rastin e fundit të dhunimit në fillim të konferencës. Jemi të gjithë përgjegjës, duhet të bëjmë më shumë. Si MAShT kemi formuar forumin për shkolla të sigurta. MAShT ka legjislacion mjaft të pasur në këtë drejtim. Sa të fillojë mësimi kemi përgatitur materialet për vetëdijësim dhe parandalim të dhunës, forcim të mekanizmave. Që nga fillimi i këtij viti shkollor, në baza javore do të ketë aktivitete me prindër e organizata, psikologë, në mënyrë që të punojmë për parandalim të dhunës”, deklaroi ajo.

Përgjegjësi konkrete nga ministria e Arsimit kanë kërkuar edhe shumë aktivistë të shoqërisë civile në vendin tonë.

Ndërkohë që ditën e djeshme ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Lajme të ngjashme