Apologjia e Martinit, fyerjet ndaj Hashimit: Gjuha e çakërdisur e Vjosa Osmanit - NACIONALE

Apologjia e Martinit, fyerjet ndaj Hashimit: Gjuha e çakërdisur e Vjosa Osmanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

E D I T O R I A L

Jo shumë kohë më parë, sfera publike në Kosovë fëlliqej përditë me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit. Fjalët e rënda inkriminuese si “kriminel”, “tradhtar”, “hajn”, “kolaboracionist”, hidheshin si çamçakëze nga zyrtarë të pushtetit aktual – prej presidentes dhe kryeministrit e teposhtë – dhe përtypeshin ngadalë prej masave popullore. Por, tash... duket se gjërat kanë ndryshuar! Tash duket se duhet të presim me durim secilën shkallë të gjyqësorit, secilin apelim, deri në Strasburg... ndoshta deri atëherë kur të harrojmë krejt se për çka bëhet fjalë.

Kulti me të cilin Kurti e Osmani i bënin këto fyerje, nuk ishte i nevojshëm të bazohej në ndonjë dokument a në ndonjë fakt kokëfortë. Jo, mjaftonte thjesht kokëfortësia në mospëlqimin personal ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi e ish-kryekuvendarit Kadri Veseli.

Gjatë ditës së djeshme u zbulua një super-skandal i madh financiar dhe politik në Slloveni, dhe i cili në qendër e kishte z. Martin Berishaj. Ky i fundit është një mbështetës i flaktë i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Berishaj u vërteta se kishte marrë shuma të pabesueshme parash nga një kompani e energjisë në Serbi, dhe 600 mijë prej tyre i kishte bartur te një politikan slloven me emrin Robert Golob, që ka gjasa të mira për t’u bërë kryeministër i shtetit më të pasur në Ballkan.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting (ku pronar i vetëm është Martin Berishaj) në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raportonte mediumi slloven Planet TV.

Kjo kompani e z. Berisha ishte themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania në Beograd.

Berishaj - që është edhe ambasador i Kosovës në Kroaci - thjesht ka mohuar akuzat pa dhënë asnjë përgjigje për përfshirjen e tij në këtë super-skandal.

Asnjë provë e medieve sllovene nuk mjaftoi që pushteti ynë të bindej që ta shkarkonte Berishajn dhe madje edhe ta shpallte Persona Non Grata në Kosovë. Pse dhe si u shpall Sali Berisha Non Grata në SHBA nga vendi më mik i Kosovës?

Dhe, sot në ‘lojë’ u fut hiç më pak se presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Presidentja – duke na lënë të gjithëve gojëhapur – mbrojti ambasadorin nga akuzat e rënda duke marrë për bazë vetë fjalët e tij.

“Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, u shpreh ajo.

A ishin për keqardhje konstatimet e mëhershme të Vjosa Osmanit se presidenti, kryekuvendari, ministra të caktuar, deputetë të caktuar, etj. ishin diçka që nuk ishte konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë?

Në fakt, mbrojtja që Osmani i ka bërë ambasadorit Berisha duhet të rrisë përpjekjet e medieve që t'i rezistojnë taktikat zhvendosëse të vëmendjes nga pushteti. Për më tepër, kjo mbrojtje që na shpalos një diskrepancë të paparë duhet të na çojë edhe drejt kuptimit të mirëfilltë të lidhjeve mes Vjosa Osmanit, Albin Kurtit dhe secilit pushtetar aktual me ambasadorin Berishaj.

Derisa pushteti me Martin Berishajn varin shpresat në vonesa të organeve të drejtësisë sllovene dhe në ngathtësinë e medieve, secili qytetar i Kosovës duhet t’i shtrojë vetes pyetjen: Çka do të ndodhte sikur Martin Berishaj të mos ishte përkrahës i flaktë i VV-së, por ruana zot, i lidhur me partitë opozitare?

Lajme të ngjashme