Anatomia e gjunjëzimit të një komentuesi të Facebook-ut para viktimës së urrejtjes së tij - NACIONALE

Anatomia e gjunjëzimit të një komentuesi të Facebook-ut para viktimës së urrejtjes së tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë prej nesh kemi pasur kurreshtje të madhe që ta dimë se kush janë në të vërtetë komentuesit e Facebook-ut që derdhin përditë urrejtje me motive politike. Sot, ish-kryeministri Avdullah Hoti, i bëri një nder të madh debatit publik duke na njoftuar me njërin prej tyre.

Tashmë, videoja e kërkim-faljes së mërgimtarit me inicialet R.S. është bërë virale po në rrjetet socicale ku u shpreh kanosja e tij urrejtëse.

Kjo sepse kontraston shumë me komentin në fjalë që trimërisht kanoste një ish-kryeministër në Facebook.

E gjithë kjo kishte ndodhur më 15 dhjetor të vitit të kaluar. Hoti kishte bërë një status në të cilin kritikonte Qeverinë Kurti. E mërgimtari në fjalë, do ta kanoste me fjalët:

“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakësh.”

Bugar (bullgar) është një tjetër fyerje që shpesh bëhet ndaj të gjithë qytetarëve të Rahovecit, qytet prej të cilit vjen Avdullah Hoti.

E, deputeti i LDK-së Hoti thjesht e lajmëroi rastin duke na njohur me komentuesin prapa komentit që kishte bërë.

Në një sekuencë të shkurtër, ai për pak sa nuk shkrehet në vaj derisa është krejtësisht i gatshëm të gjunjëzohet për të treguar se sa pishman që ishte.

“...internetin nuk e përdori shumë...” – dëgjohet ai derisa thotë i drejtuar kah Hoti. “Nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime jom i gatshëm,” – i thotë tutje.

“Jo, s’ka kurrgjo,” – ia kthen Hoti.

“Kërkoj falje, me të vërtetë kërkoj falje. Kom emocione, se nuk jam njeri që shkruaj këto gjana... se kom kontribu, unë jetoj në Bon. Kom kontribu shumë e tash ndodhi kjo...” – vazhdon ai, gati për t’u përlotur për gjestin e tij.

“Me të vërtetë gjunjëzohem para jush,” – i thotë ai Hotit, dhe merr turr të gjunjëzohet.

“Jo, jo, s’ki nevojë,” – ia kthen ish-kryeministri që duket se është në siklet nga e gjithë ajo shfaqje.

Ai më pas i thotë ish-kryeministrit se nuk kishte pasur asgjë personale me të.

Çka na mëson ky rrëfim?

Mërgimtari mund të jetë përnjëmend pishman për komentin e tij kanosës që shpreh urrejtje. Ai në mënyrë eksplicite distancohet nga komenti i bërë, duke thënë që nuk përfaqëson veten e tij. Megjithatë, e pranon se e ka bërë vetë atë koment.

Nga një gjë e tillë mund të kuptojmë se shumë komentues bëjnë komente të turpshme thjesht të ndikuar nga komentet që shohin më lart apo nga fryma e përgjithshme që përçohet në rrjete sociale, sidomos për çështje politike, e që është ajo e urrejtjes dhe e mosdurimit.

Prej sot e tutje, shumë njerëz mund të mendojnë dy herë para se të shprehin urrejtjen e tyre në rrjete sociale që na shërbejnë si platforma për ta bërë debatin tonë publik: a i përfaqëson ata me të vërtetë komenti që lënë? Mund të jenë të mashtruar, por pa dyshim se duke qenë të moshës së rritur, kanë përgjegjësi edhe që kanë lënë veten që të mashtrohen.

Mërgimtari në fjalë është dënuar me 2000 euro gjobë.

Videoja e publikuar nga Betimi për Drejtësi:

Lajme të ngjashme