Analistët: Opozita të bashkohet, t`i deligjitimojë politikat e Kurtit, pastaj të kërkojë zgjedhje të reja
Vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ka dinamizuar aktivitetin opozitar. Subjektet politike opozitare kanë mbledhur organet më të larta të tyre ku kanë vendosur për radikalizmin e veprimeve të tyre ndaj Qeverisë Kurti.
Këto veprime të tri partive opozitare po vlerësohen në mënyra të ndryshme nga njohësit e rrethanave politike në vend.
Ata kanë bërë me dije se kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja nuk mjaftojnë.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se opozita duhet të fitojë besimin e qytetarëve.
“Zgjedhjet nuk vijnë asnjëherë si rezultat i deklaratave dhe kërkesave të opozitës, sepse po të mjaftonte kjo, çdo ditë do të kishim zgjedhje. Ndryshe, këto deklarata janë të mjaftueshme për partizanët e partive, por jo për qytetarët e pakënaqur me politikat e qeverisë dhe më së paku për ata qytetarë që nuk janë të përcaktuar”, ka shkruar Kryeziu në profilin e ti në “Facebook”.
Sipas tij, opozita duhet të delegjitimojë politikat dhe veprimet e kryeministrit Kurti.
“Zgjedhjet, me përjashtim të shteteve me demokraci të brishtë në të cilat mund të ndodhin si rezultat i pazareve dhe numrave. Ato vijnë si rezultat i krijimit të besimit qytetar përmes delegjitimimit të politikave të qeverisë. Opozita duhet të delegjitimojë politikat dhe veprimet e kryeministrit Kurti duke rritur besimin e qytetarëve për një alternativë tjetër politike. Një pjesë e madhe e shoqërisë sonë sot është indiferente ndaj zhvillimeve politike sepse ndihet e papërfaqësuar nga pushteti i Kurtit edhe nga opozita”, ka shkruar ai.
I të njëjtit mendim është edhe analisti Shenoll Muharremi.
Ai ka thënë se iniciativave të opozitë iu beson vetëm të të fillojnë bashkëpunimin në mes tyre.
“Vetëm kur i shof Lumirin e Memlin apo Memlin e Lumirin bashkë n'katër sy duke u takuar disa herë i besoj opozitës që po bënë diçka seriozisht. A folin more këta mes vete? Unë se di, si kam pa ende. Vetëm në videot e VV po i shof bashkë, se kështu më duken që jetojnë në planete të ndryshme. Qato lëvizje që i ndërmorën, nuk janë të këqija, por asgjë e re me reflektu shpresa. Ende janë brenda zonës së komfordit, e suksesi dhe shpresa janë jashtë zonës komfordit”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, në këtë mënyrë opozita ëshët e dobët përball Kurtit. Ky i fundit, ka thënë Muharremi, serish do të dal fitimtar.
“E pse këta spo takohen mes vete, a dini ju najsend? Se kështu një-nga-një Albin Baba ti sosë. A se dijne qito a? Apo ndoshta e kanë mendjen e egon shumë të madhe e fuqishme.. më shumë sesa interesi publik dhe i Kosovës. Mendojeni qito, pse opozita spo takohet mes vete”, ka shkruar Muharremi.
Iniciativat e opozitës
Pas sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës, të tri partitë opozitare janë pajtuar për largimin e kryeministrit Albin Kurti nga pushteti, por jo edhe për mënyrën se si duhet të arrihet ky qëllim.
Pavarësisht synimit të njëjtë, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë mundur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. Megjithatë, këto parti kanë treguar alternativat e tyre për daljen nga situata aktuale në të cilin ndodhet Kosova.
Partia më e madhe në vend, PDK, mendon se kjo duhet të arrihet vetëm për zgjedhjeve të parakohshme, AAK-ja është për rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të mosbesimi, kurse LDK-ja po kërkon një rrugë të tretë për t`i kundërshtuar politikat e kryeministrit Kurti.
Për të diskutuar gjendjen në vend, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dje ka thirrur Këshillin Drejtues të partisë.
Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar edhe në deklaratë me 10 pika, ku kërkohet edhe mbajta e zgjedhje e parakohshme.
“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë cdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është thënë në piken 7 të Deklaratës.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje ka filluar konsultat me opinionistë e gazetarë për të kërkuar një rrugëdalje pa Kryeministrin Kurti.
Ai ka thënë se takimet e tilla do t`i vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Do të vazhdojmë të takojmë e të flasim me secilin akter të Kosovës. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një mendimi veprues, që ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë. Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, AAK-ja rrëzimin e Qeverisë Kurti me anë të mocionit të mosbesimit.

