Ana Bërnabiq mbërrin në Kosovë - NACIONALE

Ana Bërnabiq mbërrin në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ana Bërnabiq tashmë ka ardhur në Kosovë. Me leje. Tri vjet pasi iu refuzua kërkesa e parë për leje, dhe tri vjet pasi bëri komente raciste mbi shqiptarët e Kosovës.

“Kemi punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson,” – ishte fjalia e znj. Ana Bërnabiq e dhënë në vitin 2019, dhe e cila për herë të parë gjatë ditës së sotme po zhdirgjet në të ashtuquajturin ‘mal’.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje kryeministres së Serbisë për të vizituar Kosovën, megjithëse drejtohet nga një parti që më herët kritikonte qeveritë e mëparshme për lejet që i jepnin liderëve kosovarë.

Gazetarët e Nacionales nga Mitrovica e Veriut kanë raportuar se në prag të ardhjes së Bërnabiqit janë mbledhur një numër i konsiderueshëm qytetarësh për ta pritur, pranë Qendrës Multimedia ku pritet që ajo të marrë fjalën.

Atmosfera në turmë mësohet të jetë festive deri më tash, derisa është rritur edhe numri i zyrtarëve policorë që do të përkujdesen për sigurinë e saj.

Në anën tjetër, një pjesë e shoqërisë civile serbe thjesht është tallur me ardhjen e znj. Bërnabiq, ndërkohë që nuk ka të paralajmëruar ndonjë protestë.

Kush është Bërnabiqi?

Ana Bërnabiq është një politikane 47 vjeçare serbe që shërben si kryeministre e Serbisë prej vitit 2017. Ajo është e para grua, por edhe e para lezbike që del hapur që ka marrë këtë pozitë.

Fillimisht, znj. Bërnabiq kishte qenë ministre e administratës publike, dhe kishte iniciuar shumë reforma sipas medieve serbe.

Sidoqoftë, përkundër që do të pritej një qasje më civile e më progresive edhe sa i përket temave të nxehta nacionaliste në Serbi, kjo nuk ka ndodhur.

Në dhjetorin e vitit 2018, derisa po komentonte transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, Bërnabiq kishte thënë: “Shpresoj se nuk do të na duhet të përdorim ushtrinë tonë, por për momentin, kjo është një prej opsioneve në tavolinë meqë nuk mund të kemi një spastrim të ri etnik të serbëve dhe një stuhi tjetër.”

Në majin e vitit 2019, Behgjet Pacolli i kishte refuzuar hyrjen Bërnabiqit me arsyetimin se ajo kishte “ideologji raciste” ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Bërnabiq po ashtu ka mohuar gjenocidin serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Nacionale do të iu mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet mbi vizitën e znj. Bërnabiq në Kosovë.

Lajme të ngjashme