Ambasadori turk thotë se po i kërkojnë edhe disa gylenistë nga Kosova: Kanë raste të hapura në Turqi - NACIONALE

Ambasadori turk thotë se po i kërkojnë edhe disa gylenistë nga Kosova: Kanë raste të hapura në Turqi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka dhënë mbrëmë një intervistë në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, ku ka folur për marrëdhëniet dy-palëshe mes Kosovës dhe Turqisë. Përveç marrëdhënieve, të cilat janë intensifikuar kohëve të fundit, ambasadori turk ka folur edhe për “Lëvizjev Hizmet”, të cilën shteti turk e konsideron si terroriste.

Duke folur për gylenistët, ambasadori turk tregoi se ka edhe disa anëtarë të kësaj lëvizje të cilët po i kërkon Turqia, pasi për ta, siç thotë ambasadori turk, ka raste të hapura në gjykatat turke.

“Po ne kemi disa anëtarë të FETO-së, për të cilët po kërkohet dëbimi, dhe institucionet kanë njohuri në mënyrë zyrtare, dhe arsyeja është sepse ka disa raste të hapura nga Gjykata në Turqi, për këta njerëz dhe në linjë me disa marrëveshje që kemi me Kosovën.” – ka deklaruar ai.

Por ambasadori i Turqisë nuk ka dhënë detaje për numrin e saktë të gylenistëve që kërkohen për ekstradim, duke theksuar se një gjë e tillë mbetet informacion mes shtetit turk dhe Ministrisë së Drejtësië së Kosovës.

“Më lejoni ta mbaj këtë informatë përmes meje dhe ministrisë së Drejtësisë.”theksoi ambasadori turk, transmeton Telegrafi.

Tutje, ambasadori ka theksuar se Turqia dëshiron t’i japë informacione Kosovës për mënyrën se si funksion Lëvizja Hizmet, të cilët Turqia e ka shpallur organizatë terroriste pas dështimit të puçit ushtarak e policor në vitin 2016.

“Po më lejoni të them se ne nuk jemi duke luftuar kundër njerëzve apo personave, ne po luftojmë kundër një organizate terroriste… Më e rëndësishmja është që ne duam të i japim informacione Kosovës që kjo organizatë terroriste përdor njerëz të pafajshëm për të arritur qëllimet ilegale, për shembull përdorin shkollat e edukimit, apo përdorin edhe aktivitetet fetare. Kjo organizatë terroriste përdor këto institucione dhe përmes këtyre institucioneve edhe njerëzit e pafajshëm arrijnë qëllimet e errëta.” – shtoi ambasadori turk.

Lajme të ngjashme