Ambasadori Hovenier pas takimit me Kurtin: Ia përsërita kërkesat
Ambasadori i ShBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka mbajtur takim me kryeministrin Kurti që u përshkrua si “i rregullt javor”.
Ky takim erdhi vetëm dy ditë pasi Hovenier në një takim me gazetarët kosovarë kishte treguar për masat e para sanksionuese ndaj Kosovës dhe kishte bërë me faj Qeverinë për eskalimin e situatës në veri të vendit.
Por, çka folën sot?
Mediumi Koha ka raportuar se i ka përsëritur kërkesat që kryetarët e komunave në veri të ushtrojnë detyrat nga zyre alternative dhe jo në ndërtesat komunale. Po ashtu, kërkesë tjetër ishte që të tërhiqet policia nga ndërtesat komunale.
“Biseduam edhe për rëndësinë e lëvizjes para me zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shpreha shqetësimet e mia për situatën në veri. Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të ndihmojë në depërshkallëzim dhe shohim para edhe që Qeveria e Serbisë të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në arritjen e një situate më të mirë në veri,” - ka thënë ai sipas këtij mediumi.
Edhe më tej nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë takim.
