Ambasadori gjerman pas turpit të Policisë në veri: Edhe sjelljet e Policisë duhet të hetohen - NACIONALE

Ambasadori gjerman pas turpit të Policisë në veri: Edhe sjelljet e Policisë duhet të hetohen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka dënuar incidentin në veri, ku u plagos një qytetar serb.

Rohde e ka shpërndarë postimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, derisa ka thënë se ky është incident shqetësues.

“Është mirë të shohësh që Policia e Kosovës reagoi duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë.” – ka shkruar ai.

Çka ndodhi në veri?

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë shqetësuese ku i jep të drejtë Listës Serbe për pretendimet mbi plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës. Gjatë mbrëmjes së kaluar, Policia e Kosovës kishte deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.”

Në anën tjetër, Lista Serbe kishte pasur pretendim krejtësisht tjetër. Ata kishin denoncuar pikërisht policinë tonë për një gjë të tillë duke thënë se ekzistonin edhe “video të bëra nga kamerat”.

Por, fatkeqësisht Policia e Kosovës duket se u ‘dorëzua’ para Listës Serbe përmes një komunikate të dërguar sot për media.

Ata e pranojnë se një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari me përkatësi etnike serbe.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – shkruan Policia e Kosovës.

Siç edhe pritej, në lidhje me këtë ngjarje ka pasur reagime edhe nga Serbia. Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Policia e Kosovës e pranoi se mund të ishte shkaktuar nga një pjesëtar i saj. Tutje, ai tha se Policia e Kosovës ka gënjyer.

''Policia e Kosovës sapo pranoi se kishte qëlluar serbin Milan Jovanoviq dhe tregoi se gënjeu tërë ditën për serbin e qëlluar me armë, familjar, baba i tre fëmijëve që për fat të mirë mbijetoi’’- tha Petkoviq në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Lajme të ngjashme