Ambasadori gjerman i reagon Qeverisë: Hapat e njënashëm rrezikojnë anëtarësimin në BE, bien ndesh me marrëveshjet
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas operacionit të Policisë së Kosovës në veri, ku u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe.
Në një shkrim në rrjetin social Twitter, ambasadori ka thënë se hapat e njëanshëm e të pakoordinuar janë në kundërshtim me marrëveshjet e dialogut.
Veç tjerash, ai ka thënë se kjo e rrezikon dhe aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i mbërthyer në kutinë e letrave. Bashkimi Evropian zhvillohet mbi marrjen e të gjithë anëtarëve dhe komuniteteve të tyre gjatë rrugës dhe neve na duhet qasja e njëjtë në nivel kombëtar.” – ka shkruar Rohde.
Unilateral and uncoordinated steps not only contradict the dialogue agreements but -even worse- risk 🇽🇰's EU membership application remaining stuck in the inbox.
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 6, 2024
The 🇪🇺 thrives on taking all members and their communities along, and we need the same approach at the national level. https://t.co/CfR8hyvVRG
Ndryshe, në lidhje me këtë zhvillim Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë një reagim të ashpër, duke thënë se këto veprime vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.
Në deklaratë po ashtu bëhet thirrje që Qeveria "të ndalojë çdo veprim të mëtejshem të njëanshme" dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
"Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë." - thuhej në reagim.
Ndërkohë, nga BE-ja në një reagim thanë se mbyllja e këtyre zyrave postare bie ndesh me marrëveshjet e përcaktuara në Marrëveshjet e Telekomunikacionit të vitit 2013 dhe Planin e Veprimit të vitit 2015, teksa kujtoi se palët ishin pajtuar që "çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut".
Në komunikatën BE-së theksohet më tej se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje", duke shtuar se mbyllja e postave "do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti.” – thuhej në komunikatë.