Ambasadori britanik: Kërkojmë vazhdimisht përgjegjësi nga Serbia për sulmin në Banjskë
Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë në KTV, ka thënë se shteti i tij kërkon vazhdimisht përgjegjësi ndaj Serbisë për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Ai ka folur në përgjithësi edhe për rajonin e Ballkanit, duke thënë se është rajon i rrezikshëm.
Ambasadori britanik sulmin e ka parë si një incident serizo teksa është shprehur se për këtë arsyet Britania kishte dërguar trupa shtesë në Kosovë.
“E di që hetimi po vazhdon si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi. Kështu që ne ende nuk kemi parë dëshmi përfundimtare se çfarë saktësisht po ndodhte në atë sulm dhe çfarë ka qenë plani dhe qëllimi. Kështu që mendoj se duhet lënë këto procese të kryhen sa i përket mbledhjes së dëshmive” – ka thënë ai në Interaktiv.
Ai ka thënë se presin nga Serbia që të marrin veprime lidhur me sulmin në Banjskë.
“Kemi qenë shumë të qartë me autoritetet serbe për atë se ne presim që t'i mbajnë para përgjegjësisë, ata që e bënë këtë incident kriminal. Ne ua ritheksojmë këtë autoriteteve serbe - kolegu im në Beograd dhe kolegët e tij të tjerë atje e bëjnë këtë rregullisht, pra presim që të ndërmerren veprime në Serbi lidhur me këtë” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka folur edhe për Milan Radoijiçiqin i cili endet i lirë në Serbi.
Për këtë, ambasadori ka thënë se Serbia i ka siguruar se po merren më këtë gjë.
“Siç e thashë, e bisedojmë shpesh këtë çështje me autoritetet serbe dhe ata na sigurojnë se po merren me këtë. Pra pasojat duhet të rrjedhin prej sistemit serb” – ka thënë ai.
Tutje, ambasadori Hargreaves ka folur edhe për rajonin e Ballkanit, duke thënë se është rajon i rrezikshëm edhe pse nuk ka pa parë diçka konkrete.
“Është një rajon i rrezikshëm. Ka shumë rreziqe në rajon dhe shumë arsye për të qenë të kujdesshëm. Natyrisht se nuk kam parë ndonjë evidencë të veçantë apo plan apo incident dhe ne bashkëpunojmë shumë afërt me kolegët e KFOR-t dhe Policinë në mënyrë që të kuptojmë këto rreziqe dhe nëse kemi të tilla, t’i zvogëlojmë këto rreziqe” – është shprehur ai.
Ai ka pasur edhe një mesazh për politikanët kosovarë e serbë, të cilët sipas tij, duhet që të ndërmarrin hapa konkrete në depërshkallëzimin e gjendejes dhe të mos marrin veprim që janë provokuese.
“Dhe mbase një nga gjërat që duam t’i shohim këtu është një zë më i madh i të gjithë komuniteteve dhe veçanërisht i komunitetit serb në veri dhe që të jemi të harmonizuar se ku mund të ngritën tensionet dhe që të jemi në gjendje t’i përgjigjemi këtyre tensioneve.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Në anë tjetër, pala kosovare ka thënë se Serbia po përgatite edhe për një sulm tjetër në veri të Kosovës.
Këto paralajmërime erdhën nga udhëheqësit e vendit, të cilët theksuan se Serbia mund të bëjë një “Banjskë të dytë”.