Ambasada gjermane për rastin e Listës Serbe: Të shqetësuar që partitë po përjashtohen nga zgjedhjet - NACIONALE

Ambasada gjermane për rastin e Listës Serbe: Të shqetësuar që partitë po përjashtohen nga zgjedhjet

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, thotë se ‘janë të shqetësuar që partitë politike po përjashtohen nga zgjedhjet’.

Në një përgjigje për Nacionalen, Ambasada gjermane, thotë se ‘mirëpret hapin e Listës Sërbe që vendimin ta apelojë në PZAP.

“Ne jemi të shqetësuar se partitë politike po përjashtohen nga zgjedhjet. Si në shkurt, kur KQZ-ja gjithashtu e refuzoi certifikimin e Listës Serbe, Lista Serbe tani do të apelojë përmes Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)” – thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

“Ne e mirëpresim këtë hap. Të gjitha partitë që i përmbushin kushtet e nevojshme dhe që i respektojnë ligjet e Kosovës duhet ta kenë mundësinë që të marrin pjesë në zgjedhje demokratike. Ne presim që të gjitha palët ta respektojnë rendin procedural të bazuar në rregulla, që të sigurohet një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës” – thuhet tutje në përgjigje.

Dje, gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lajme të ngjashme