Ambasada e ShBA reagon pas letrës së organizatave për Klan Kosova: Po e ndjekim nga afër - NACIONALE

Ambasada e ShBA reagon pas letrës së organizatave për Klan Kosova: Po e ndjekim nga afër

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kanë mbetur edhe pak ditë për trajtimin e lëndës së mediumit “Klan Kosova”, derisa të mërkurën organizatat më të mëdha për lirinë e mediave, i dërguan një letër ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, që të zgjidhet çështja e certifikatës të një prej televizioneve më të mëdha në vend. Çka thotë Ambasada Amerikane?

Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë, i ka thënë Nacionales se e marrin seriozisht çdo përpjekje për të kufizuar rolin e medias.

“Siç ka thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier, për Shtetet e Bashkuara, çështja e një media të lirë dhe të pakufizuar është shumë e rëndësishme. Ne e marrim shumë seriozisht çdo përpjekje për të kufizuar rolin e medias në ofrimin e shërbimit të tyre ndaj shoqërisë së transparencës dhe llogaridhënies.” – thuhet fillimisht në përgjigje.

Ambasada amerikane e ka bërë të qartë se po e ndjek këtë proces nga afër, dhe se duhet të ketë shqyrtim të kujdesshëm.

“Ne po e shikojmë nga afër këtë proces. Ne besojmë se çdo përpjekje për të ndikuar në operacionet, regjistrimin e biznesit, transmetimin e mediave të pavarura kërkon shqyrtim të kujdesshëm dhe të plotë.” – bëhet e ditur mes tjerash.

Në fund, ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane u shpreh për Nacionalen si vijon:

“Këto lloj veprimesh nuk duhet të merren lehtë ose për arsye më pak se vërtetë të rëndësishme”.

Letra

Në letrën e këtyre organizatave që tashmë është bërë publike, kërkohet që certifikata e përditësuar të pranohe nga Komisioni i ankesave dhe të ndalen përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për presion.

“Thirrja e fundit e organizatave tona vjen pas vendimit të paprecedentë të Ministrisë së Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, të marrë më 14 qershor 2023, për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.PK dhe ngritjen e kallëzimeve penale kundër përfaqësuesve të saj.” – thuhej tutje.

Po ashtu, përmendej se kjo situatë nuk mund të përdoret për ta justifikuar mbylljen e këtij mediumi.

“Ndonëse ne e njohim kërkesën që autoritetet e Kosovës të zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me regjistrimin e biznesit, kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar mbylljen e një prej transmetuesve më të mëdhenj kombëtarë privatë në vend – një hap jashtëzakonisht serioz që duhet të ndërmerret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës.” – thuhet në letrën e tyre.

Rasti Klan Kosova

Gjatë muajit të kaluar, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), kishte pezulluar certifikatën e “Klan Kosova”.

Një veprim i tillë kishte shkaktuar shumë reagime të ashpra, rrjedhimisht, pas disa ditëve edhe ishte anuluar.

Por kjo situatë nuk do të përfundonte aty. Në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm, erdhi Lebibe Haliti, motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti. Kështu, vendimi i fuqizua sërish.

“Klan Kosova” ishte ankuar në ARBK pas këtij veprimi, dhe tash, ka mbetur edhe pak ditë ditë që të merret një vendim.

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari para pak ditësh ka bërë një reagim duke thënë se në rast që komisioni refuzon ankesën e mediumit, atëherë rrezikon që “Klan Kosova” të mbyllet.

“Rreziku është serioz dhe real. Ky nuk është proces administrativ apo i ligjshëm, është proces politik.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, "Klan Kosova" ka raportuar se Komisioni përgjegjës ka marrë vendim që ta shtyjë afatin për shqyrtimin e ankesës deri më datën 28 korrik.

Vlen të theksohet, se ditëve të fundit, sulmet ndaj mediave nga pushteti veç se janë shtuar.

Njëjtë ndodhi edhe pasi Nacionale publikoi përgjimet e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari – Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiqit.

Nacionale, këto ditë ka qenë cak i linçimit dhe presionit nga zyrtarë të lartë të partisë në pushtet, gjë për të cilën ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme