"Aludon se iu paskam nënshtruar shantazhit": Lahu thotë se Egzon Azemi tentoi të krijojë një narrativë të rreme gjatë incizimit
Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ka reaguar ashpër ndaj Egzon Azemit, Sekretari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, dhe Gëzim Sveçlës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në lidhje me video-incizimin e publikuar nga Gazeta Nacionale, ku Sveçla, Azemi dhe Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës, përpiqen të bindin atë dhe Edmond Azemin të largohen nga seanca.
Lahu ka cilësuar këtë ngjarje si një "shfaqje të shëmtuar", e orkestruar nga Sveçla dhe Azemi, të cilët, sipas tij, kanë tentuar të krijojnë një situatë të krijuar për të ushtruar presion ndaj tij dhe kolegut të tij, Edmond Azemi.
Lahu komentoi në veçanti fjalët e Egzon Azemit gjatë diskutimeve tensionuese, i cili, sipas tij, ka tentuar të krijojë një narrativë të rreme gjatë incizimit.
“Një shfaqje e shëmtuar, e inskenuar nga dy persona të rëndësishëm, me pozita të rëndësishme në VV që është Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi. Unë nuk e pranoj presionin. Por Presioni ka qenë ndaj kolegut Edmond Azemi i cili po ashtu ka qenë në seancë.” – tha ai.
“Çfarë ka ndodhur, e që është edhe më skandaloze, është inskenimi që Egzon Azemi, duke e ditur që të gjitha kamerat janë të kthyera rreth nesh, dhe që të gjithë po incizojnë, ai me zë të lartë thotë që ‘nëse une jam i shantazhuar duhet me tregu, s’duhet me u dorëzu’, e kështu me radhë. Aludon në çështjë që gjoja unë iu paskam nënshtruar një lloj shantazhi për çfarëdo çështje të mundshme që ai e cek dhe prandaj po qëndroj unë aty. Unë aty i thëm që ‘unë nuk shantazhohem asnjëherë dhe s’kam nevoj mbrojtjen e askujt." - tha ai në emisionin "Interaktiv" të KTV-së.