“Alo, mirëdita”: Kurti tallej më 2019 me Prokurorinë, aludonte në imagjinatë se e kishte pranuar ftesën e saj - NACIONALE

“Alo, mirëdita”: Kurti tallej më 2019 me Prokurorinë, aludonte në imagjinatë se e kishte pranuar ftesën e saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në korrikun e vitit 2019, kur kryeministri i sotëm i Kosovës, Albin Kurti, ishte në rolin e opozitarit, ai i kishte hyrë imagjinatës dhe me ironi kishte shpikur një bisedë të imagjinuar gjoja mes bashkëpartiakut të tij, tani kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, me një punëtore të Prokurorisë së Shtetit, e cila gjoja i ftonte Kurtin e Konjufcën për të biseduar rreth një kallëzimi penal që e kishin dorëzuar. Më shumë se pesë vjet më vonë, Kurti u ftua vërtet nga Prokuroria Speciale, por nuk u paraqit në datën dhe orën e caktuar.

Biseda imagjinare mes një zyrtareje të Prokurorisë dhe Konjufcës, sipas imagjinatës së Kurtit - atëherë opozitar:

- Alo, mirëdita.

- Mirëdita.

- Unë jam Zana nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Po flas me deputetin e Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca?

- Po, unë jam.

- Prokurori i Shtetit ju kërkon të vini për një bisedë lidhur me Kallëzimin Penal që keni bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Na vjen keq që nuk ju kemi thirrur më herët, por a mund të vini nesër, të premten, në ora 10:00?

- Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit "Syri i Popullit", apo jo?

- Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.

- Aty do të jem. Ju falemnderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?

- Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.

- Shumë mirë. Atëherë mirupafshim nesër.

- Mirupafshim. Ju falemnderit z. Konjufca.

* * *

Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë.

Më shumë se pesë vjet më vonë, kur Kurtit vërtet i shkoi ftesa, ai vendosi që përsëri të tallej me Prokurorinë, por kësaj radhe pak më ndryshe.

Jo me bisedë imagjinare, por me një “ofertë” – që prokurorët të shkonin në zyrën e tij për ta intervistuar në cilësinë e dëshmitarit. Ai nuk u paraqit të hënën në mëngjes në Prokurori, siç i kërkohej.

“Oferta” e Kurtit ka nxitur shumë reagime. Sipas gazetarit Vehbi Kajtazi, kryeministri “pret që prokurorët ta marrin me forcë si dëshmitar, për t’u viktimizuar për vota”.

Lajme të ngjashme