Alkooli, PDK-ja, shpirti: Çka ndodhi në përplasjen mes Gashit e Rrustemit të VV-së?
Së fundmi, Astrit Gashi, analist, është hera e dytë që ka përplasje të ashpra me deputetët e VV-së. Mbrëmë ndodhi episodi numër dy i përplasjeve Gashi vs. VV, ndonëse Nacionale nuk mund të thotë me shumë siguri se ngjarja nuk do të shndërrohet në triologji. Gashi debatoi ashpër me Adnan Rrustemin, deputet i VV-së. Në episodin numër dy u përmend PDK-ja, alkooli, shpirti, e shumçka tjetër. Njëjtë sikurse në episodin numër një mes Gashit dhe Arbër Rexhajt, edhe në episodin numër dy, pas debatit me gojë, përplasja e Gashit me Rrustemin vazhdoi edhe përmes shkronjave të gjuhës së nderuar shqipe. Çfarë ndodhi?
Përplasja mes Gashit dhe Rrustemit nisi kur i pari e akuzoi të dytin se nuk ka shumë informacione në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Vijmë te pjesa ta themi kështu e kushtëzimeve që po i përmend deputeti, unë e kuptoj deputetin që nuk ka edhe shumë informata.” – deklaroi z. Gashi, teksa shtoi se Rrustemi flet më shumë mbi bazën e besimeve se sa nga informatat e dorës së parë.
“Nëse ka informata z. Gashi, le t’i nxjerrë, edhe i diskutojmë, diskutojmë mbi informatat e z. Gashit” – ishte përgjigja e shpejtë e Rrustemit.
E pas këtyre fjalive hyrëse, debati veç shkoi duke u thelluar për nga “nxehtësia”. Në fjalinë pasuese, z. Gashi ia përmendi Rrustemit Imri Ahmetin, kryetarin e LDK-së, nga i cili deputeti i VV-së kishte humbur në garën për kryetar të Lipjanit.
“Unë nuk jam kandidat për Lipjan, nuk jam Imri Ahmeti me të mujtë në zgjedhje, mfal” – deklaroi Gashi, i cili theksoi se Rrustemi flet çfarë i kanë thënë të flasë nga zyra për medie e VV-së.
Pas Gashit, që ia mohoi autonominë e mendimit, Rrustemi e radikalizoi më shumë gjuhën, duke konkluduar se Gashi nuk mendon hiç.
“Astrit, ti në fakt nuk thu kurgjo hiç” – deklaroi ai.
E në vazhdim, debati u fokusua se kush sa është Vetëvendosje e kush PDK. Në kuadër të emisionit, u përmend edhe shpirti, pra bota e qenësishme e njeriut. Gashi vlerësoi se z. Rrustemi nuk është fare VV.
“Unë e di që ty s’të vjen mërzi se ti as Vetëvendosje s’je. Sinqerisht as Vetëvendosje s’je.” – tha Gashi.
“Kush s’është Vetëvendosje?” – ishte pyetja e rrufeshme e Rrustemit.
“Ti. Je PDK me shpirt e me zemër e tonat” – ishte përgjigja me shpejtësi drite e Gashit.
“Unë jam që 15 vjet VV. Ti nuk më njeh mua, ti kurrë në jetë tënde s’ke nejt me mue” – tha Rrustemi.
“Prej kujt ke dal në VV?” – pyeti Gashi.
“Që 15 vjet jam në VV” – tha Rrustemi.
Debati i ashpër vazhdoi edhe për disa minuta. Pas përfundimit të emisionit, debati, bash sikurse herën e parë mes Gashit dhe Rexhajt , u transportua në universin e shkronjave. Pra përlasja vazhdoi me germat e gjuhës shqipe në rrjetin social Facebook, të ideuar nga amerikani Marc Zuckerberg.
Sikurse Rexhaj, edhe Rrustemi e publikoi një video, duke shkruar një fjali me akuzë banale, duke e akuzuar Gashin se ishte i dehur në emision.
“Ndonëse jo e lehtë të debatosh edhe për shkak të prezences së lartë të alkoolit, megjithatë po e ndaj me ju një nga deklaratat e mia nga debati i sontëm.” – shkroi Rrustemi.
Në lidhje me këtë akuzu reagoi edhe z. Gashi, i cili e shpërndau videon e Rrustemit dhe e komentoi atë, duke e akuzuar sërish se ishte pjesë e PDK-së.
“Shume simpati per kete "djalin e rinise se PDK", te kamufluar si VV, qe ne vitin 2020, ne vitin e tateposhtezes se opozites, humbi ne Lipjan pa balotazh nga Imri Ahmeti i LDK. Kur s'te don katuni yt, kot te respekton shehri.” – shkroi ai, ndër të tjera.
