Aliu pret vlerësimin teknik të Urës së Ibrit, Vuçiqi flet për “hapje të dhunshme” me shpresa se e ndalë KFOR-i - NACIONALE

Aliu pret vlerësimin teknik të Urës së Ibrit, Vuçiqi flet për “hapje të dhunshme” me shpresa se e ndalë KFOR-i

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bllokada prej betoni do të mund të largohej çel-e-mshel-sytë. Por, pyetja që s’ka gjetur përgjigje është prania e stacionuar – e përforcuar deklarativisht – e KFOR-it; të cilët s’kanë dhënë asnjë indikacion zhvendosjeje për qarkullim të lirë të veturave mbi Urën e Ibrit.

Për Qeverinë e Kosovës hapja e Urës së Ibrit është “çështje e mbyllur, vendim i marrë”, e tha me sigurinë më të madhe deklarative ditëve të fundit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas inspektimit prej poshtë të qëndrueshmërisë së urës.

Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka shtuar se pritet dita-ditës finalizimi i raportit të vlerësimit teknik të Urës së Ibrit, raport ky i cili duhet t’i paraprijë veprimit të hapjes nga policia kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hiç më larg se sot u shpreh se më 14-15 gusht – pa ofruar ndonjë bazë për ato pretendime – do të synohet “dhunshëm hapja e urës”.

Por, Vuçiq – për të dytën herë – tha se pret që KFOR-i “nuk do ta lejojë”.

Më 14 apo 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës (së Ibrit)...Më lejoni t’u them menjëherë se nuk do të funksionojë, dhe se kemi respekt për KFOR-in dhe besojmë se do ta kryejë punën e vetë”, ka thënë ai.

Edhe ditë më parë, Vuçiqi u shpreh “i shpresshëm” që KFOR të veprojë “në përputhje me ato çfarë kanë thënë ditët e kaluara”.

Qeveria kosovare dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë dhënë për punë të kryer që hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve do të bëhet pavarësisht çfarëdo rezistenceje ndërkombëtare, duke flakur tutje qëndrimin e QUINT-it dhe KFOR-it.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjithashtu duke folur rreth Urës së Ibrit sot në Kosovapress, tha se ajo çështje ëshët gjë e mbyllur dhe se për të ka marrëveshje në kuadër të dialogut të Brukselit.

Ajo është çështje politike në të cilën ne si ministri jemi të përfshirë në aspektin teknik të saj. Sa i përket aspektit teknik, është bërë shqyrtimi teknik i urës dhe mbetet të marrim përgjigje. Unë mendoj që në aspektin teknik është, po flas paraprakisht nuk shohim që ka ndonjë problem”, tha ai.

Por, megjithatë shqyrtimet do të japin rezultatet e veta në aspektin teknik të funksionimit të urës. Marrëveshja politike ekziston shumë herë dhe është dashur të hapet. Nuk ka ndonjë arsye të mos hapet, urat bashkojnë njerëzit”, thotë Aliu.

Ramadani, skeptik

“Ura e Ibrit nuk hapet kësaj here”.

Këtë mesazh e lëshoi këtë të dielë ish-Kryeinspektori i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, pas një serie shkrimesh kohëve të fundit ku i binte borisë së paralajmërimeve për ose ‘konfrontim’ të policisë kosovare me KFOR-in, ose që këta të fundit të invokonin kompetencat e tyre përkitazi me Nenin 153 të Kushtetutës së Kosovës, që do të mund të përkthehej edhe me shtimin e Urës së Ibris në listën PDSS (Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special).

Ramadani këtë pohim/pretendim e dha të ketë ardhur si rrjedhojë e “konfrontimit deklarativ (të pushtetit) me KFOR-in” por edhe si “fatkeqësi” të sjelljeve të akterëve të pushtetit “që më shumë ndikuan që Ura (e Ibrit) të mos hapet”.

Përkatësisht, më shumë dëmtuan Kosovën. As hapje Ure, as përafrim me NATO. Përkundrazi. Acarim të raporteve me NATO-n pa arritur as të tentohet hapja e Urës. Në vend se si njerëz me përgjegjësi shteti të udhëtonin për në Selinë e NATO-s e në kryeqendrat perëndimore, këta “udhëtuan” nën Urë për të mbetur simbolikisht ‘Ministra nën Urë’”, shkroi Ramadani.

Në atë që pushteti e ka dhënë pa-një-pa-dy dhe pavarësisht gjithçkaje se Ura e Ibrit do të hapet për lëvizje të automjeteve, Ramadani s’e sheh të mundshme: “Nuk ka askush guxim që të hap Urën me zor”.

Lajme të ngjashme