Aleanca s'i shkoi, PDK njoftoi tërheqjen, LDK s'i zotëron votat e veta: Si do ta gjejë 'çarenë' për president Kurti? - NACIONALE

Aleanca s'i shkoi, PDK njoftoi tërheqjen, LDK s'i zotëron votat e veta: Si do ta gjejë 'çarenë' për president Kurti?

52 minuta më parë

nga NACIONALE

Kanë mbetur njëzet e pak ditë deri kur vendi duhet të ketë të themeluar legjislativin.

Me certifikimin e zgjedhjeve më 8 korrik, seanca konstitutive duhet thirrur brenda tridhjetë ditëve.

Albulena Haxhiu, kujdestare e zyrës së Presidentit, ende s'e ka thirrur.

Vetëvendosja ka 53 mandate nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Me 8 vota të pakicave jo-serbe dhe një serbe, shkon në 62 për themelimin e Kuvendit dhe, siç është njoftuar, edhe të qeverisë.

Me konstituimin e Kuvendit, vendi hyn në afatin kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Moszgjedhja e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme të katërta brenda një viti e gjysmë.

Takimet e Albin Kurtit me liderët opozitarë s'duken të shpresshme.

PDK njoftoi qëndrim në opozitë, pa synim marrëveshjeje me Vetëvendosjen.

Aleanca refuzoi takimin, duke ngulmuar te "gjashtë kushtet" e artikuluara si këmbim për shtatë votat e saj.

LDK njoftoi vazhdim komunikimesh me Vetëvendosjen, por pa i zotëruar 18 votat kompakte të partisë.

Votat në kuti dhe prania e tetëdhjetëve në sallë duken të largëta.

Kurti u shpreh "optimist" për gjetjen e një rruge me partitë rivale drejt themelimit të institucioneve dhe një kandidati konsensual e apartiak për president.

Në Facebook shkroi se "është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara."

"Fryma konstruktive nuk paraqet garanci suksesi, por jemi te takimi i parë pas certifikimit dhe kemi shpresë për avancim," shtoi ai.

"Jemi të përkushtuar t'i jetësojmë vullnetin e popullit me institucione të reja e funksionale."

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shpjegoi perspektivën e tij mbi takimin me Kurtin.

"PDK-ja garoi me një program mbi ekonominë e mirëqenien sociale, përfshirë rritjen e pagave, pensioneve e pagesave të tjera, si dhe projekte në energji e infrastrukturë," tha Hamza.

Ai bëri me dije se partia s'do të jetë pjesë e pushtetit në këtë mandat.

"Bazuar në bisedat, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është të qëndrojmë në opozitë," u shpreh Hamza.

Abdixhiku, LDK dhe moszotërimi i votave të partisë

Me rreth 160 nënshkrime të mbledhura për votëmosbesim në Kuvendin Zgjedhor (nevojiten 177 nga 355 delegatë) Abdixhiku përballet me zhvotim kryetarllëku.

Pavarësisht mungesës së legjitimitetit brendapartiak, ai, bashkë me Vjosa Osmanin, u takua me Kurtin për një "marrëveshje politike" mbi formimin e institucioneve.

Me tetëmbëdhjetë mandate formalisht, e katër që dihet publikisht se nuk i zotëron, Abdixhiku s'ka numrat për t'ia përmbushur Kurtit synimin e zgjedhjes së Presidentit, që kërkon minimalisht 80 vota.

Vetëvendosja e pakicat jo-serbe japin 62 vota; LDK-ja, pa katër votat e humbura, shton vetëm 14—gjithsej 76.

Megjithatë, Abdixhiku tha se u pajtua me Kurtin "që të vazhdojmë komunikimin."

Lajme të ngjashme