“Albin, mjaft”: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë konstituimin e Kuvendit, pasi seanca u shty me kërkesë të Kurtit - NACIONALE

“Albin, mjaft”: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë konstituimin e Kuvendit, pasi seanca u shty me kërkesë të Kurtit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e së enjtes, e cila nisi rreth orës 10:00, pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Partitë e tjera reaguan ndaj këtij zhvillimi, duke thënë se nuk kishte asnjë arsye për një veprim të tillë.

Në fjalën e mbajtur gjatë seancës, Kurti, si kryetar i partisë që mori më së shumti vota në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit. Në vend të kësaj, ai kërkoi më shumë kohë.

“Kërkojmë kohë shtesë që ti japim shtesë bisedimeve për president ose presidente,” tha Kurti.

Kjo kërkesë u miratua nga bashkëpartiaku i tij, Avni Dehari.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një postim në rrjetin social Facebook, u shpreh se nuk ka asnjë arsye për moskonstituimin e Kuvendit. Ajo shtoi se u pa qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve është zgjedhje e Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Mosveprimi i sotëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike. Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie. Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, mbajti një konferencë për media pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Gjini u tha gazetarëve se ajo që ndodhi sot është një “grusht shteti i brendshëm”.

“Ndërsa sot, pa asnjë arsye logjike, pa asnjë arsye shtetformuese, pa asnjë arsye patriotike, prapë hyjmë në krizë institucionale. Unë duhet me thënë që nuk ka emër tjetër kjo situatë përpos se grusht shteti i brendshëm, grusht shteti i cili nuk realizohet prej falangave ushtarake, po prej njerëzve të cilët në mënyrën më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë demokratik për me i uzurpu institucionet e shtetit”, u shpreh ai.

Reagoi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili tha se Kosova nuk duhet të hyjë në vakuum institucional dhe se Kuvendi duhet të konstituohet.

Në një shkrim në Facebook, ai tha se bisedimet politike mund të vazhdojnë më pas.

“Rruga është e qartë: ta zgjedhim Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë institucionin më të lartë përfaqësues të vendit. Më pas, bisedimet politike le të vazhdojnë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta – me afatet për formimin e Qeverisë dhe, në kohën e duhur, për zgjedhjen e Presidentit”.

Gashi shtoi më tej se shteti nuk ndërtohet duke zvarritur vendimet, por duke respektuar Kushtetutën.

“Shteti nuk ndërtohet duke zvarritur vendimet, por duke respektuar Kushtetutën. Sot kërkohet përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja, por për institucione funksionale dhe lidership që e vendos interesin e Republikës mbi çdo interes tjetër”, ka thënë Gashi.

Lajme të ngjashme