Alarmante, mbi 500 raste të dhunës ndaj grave vetëm në 3 muajt e parë të 2022-ës
Shkruajnë: Arta Avdiu & Mirlind Behluli
Dhuna në familje e posaçërisht ajo e ushtruar ndaj grave është rritur vazhdimisht viteve të fundit. Madje, fatkeqësisht, shumë gra përfunduan të vdekura si pasojë e maltretimeve fizike nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.
Edhe numrat e rasteve të raportuara të dhunës në familje janë shtuar viteve të fundit.
Madje, ato kanë ngritur alarmin e institucioneve qendrore, të cilat ka një kohë që kanë themeluar Task Forcën kundër dhunës në familje.
Trendi në rritje i rasteve të dhunës në familje vërehet edhe në këtë vit.
Mbi 500 raste të dhunës ndaj grave
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë tri muajve të parë janë gjithsej 709 raste të raportuara të dhunës në familje e ku viktimat janë kryesisht gra.
Saktësisht 581 gra dhe 188 burra janë viktima të dhunës në familje gjatë muajve janar-mars të vitit 2022.
Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, Policia theksoi se si institucion kanë punuar në vazhdimësi me të gjitha institucionet për të trajtuar rastet e dhunës.
“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Shkaqet e dhunës
Në interpretimin e sociologut, Shkodran Ramadani, rritja e numrit të dhunës së raportuar ka për burim efektet negative të pandemisë, e cila ka nxitur njerëzit drejt marrëdhënieve më të rënduara njerëzore.
“Nuk po befasohem për shkak që pandemia me krejt efektet e saj psikologjike, ekonomike, sociale ka lodhur mendërisht dhe përmes karantinës e ka eskaluar një lloj agresiviteti tek njerëzit. Duke i mbyllur në shtëpi, njerëzit kanë qenë më të prirur që të ushtrojnë dhunë dhe normalisht këtu e kanë pësuar më së shumti gratë, sepse ato rëndom janë viktima të dhunës”, tha Ramadani për Nacionale.
Njëjtë mendon edhe Leutrim Sahiti, sociolog, i cili thotë se pandemia ka shkaktuar depresion tek shoqëria duke i nxitur ata të jenë më të dhunshëm.
“Rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje gjatë periudhës pandemike është pasojë e depresionit që ka krijuar situata pandemike, masat parandaluese, izolimi në shtëpi, kufizimi i lëvizjes dhe ndalimi i disa prej veprimtarive të punës që ka bërë që qiftet të mbesin pa punë në shtëpi”, nënvizoi Sahiti.
Megjithatë, Ramadani ka edhe një shpjegim më interesant për çështjen e përshkallëzimit të dhunës në familje.
Ai thotë se kriza e fundit ekonomike e cila u karakterizua nga rritja e çmimeve dhe mungesa e energjisë elektrike.
“Muajve të fundit e dimë që ka pasur një rritje të pesimizmit si pasojë edhe e problemeve me energji elektrik, me ngritjen e çmimeve, me paga të ulëta, me inflacion, lufta në Ukrianë. Pothuasje çdo ditë njerëzit bombardohen me lajme negative dhe kjo e rrit mundësinë që të përshkallëzohet edhe dhunë”, deklaroi Ramadani.
Ndërsa Sahiti, sociolog, thotë se dhuna në Kosovë është produkt i shoqërisë patriarakle ku burri deri vonë ka pasur një autoritet absolut mbi gruan.
E një relacion i tillë sundues, ka bërë që të ‘legjitimohet’ e drejta e burrave për të ushtruar dhunë. Madje sipas Sahitit një mendësi e tillë shpesh është hasur edhe në institucionet shtetërore që për synim kanë parandalimin e dhunës në familje.
“Rritjen e numrit të dhunës në familje pas luftës e shoh si rritje e numrit të grave që vendosin të denoncojnë dhunën dhe më pak si rritje e saj, pasi që numri i rasteve të dhunës në familje nëse e krahasojmë me vitet e kuluara ka qenë shumë i madh mirëpo fatkeqësisht ka munguar guximi për denoncim, besimi në drejtësi si pasojë e paaftësisë dhe jo profesionalizmit të institucioneve tona për të zgjidhur rastet e dhunës në familje”, tha Sahiti për Nacionale.
Por, cilat janë pasojat e dhunës?
Psikologia, Lenida Halilaj, tregon ndikimet e dhunës tek viktima.
“Përpos dëmtimit fizik, efektet psikologjike me të hasura te viktimat e dhunës në familje janë: stresi post-traumatik, ankthi, depresioni, vetë-vlerësimi i ulët, ndjenja e fajit, tendenca vetë-dëmtuese, çrregullime të gjumit apo çrregullime të të ngrënit, ndjenja e pashpresshmërisë, etj.”, tha Halilaj për Nacionale.
Ndërsa aktivistja Vesë Kelmendi deklaroi se dhuna në familje duhet të luftohet nëpërmjet planeve afatgjate duke tentuar të ndryshohen kodet kulturore patriarkale.
“Dhuna në familje eliminohet, në plane afatgjata duke ndryshuar vlerat kulturore që e mundësojnë dhunën. Ndërsa, në plane afatshkurtra, sa më shumë parandalohet, nëse dhuna në familje trajtohet seriozisht nga policia dhe sistemi gjyqësor, nëse shteti ofron strehimore dhe opsione tjera të akomodimit të të mbijetuarave të dhunës, nëse shteti ndihmon sa më shumë në pavarësimin ekonomik të grave ”, tha Kelmendi.
Që nga viti 2010, sipas statistikave të Policisë, janë vrarë gjithsej 48 gra. Ndërsa vetëm gjatë vitit 2021 pati 3 raste të dhunës ndaj grave që përfunduan me vdekjen e tyre.
E kundër vrasjeve të grave, çdo 8 mars në Prishtinë organizohet proteste nën moton “marshojmë, s’festojmë”.