Akuza brutale e “profesorit të Kurtit” nga Tirana: Opozita e Kosovës e gatshme t’u shërbejë interesave të huaja
Enis Sulstarova, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria, është një nga njerëzit më gjallues në aspketin e shkrimit, përfshirë statuse në Facebook, por edhe opinione të gjata, të cilat i boton në medie të ndryshme. Një i tillë, i titulluar “Turp dhe Mjerim”, është botuar në 6 korrik në “Shenja”, përmban disa akuzatë rënda ndaj opozitës kosovare. Çka shkroi Sulstarova?
Në fakt, ky është një nga shkrimet që mediet nuk e panë e nuk raportuar, ndonëse ka dy muaj që është publikuar.
Aktivisti nga Shqipëria, të cilin Albin Kurti e kishte cilësuar si profesor të tij në ditën e promovimit të një libri të Sulstarovës në Universitetin e Prishtinës, ka bërë disa cilësime arbitrare e ekstreme karshi opozitës. Sipas Sulstarovës, opozita e Kosovës, pra PDK, LDK, AKK, janë të papërgjegjshme dhe të gatshme t’iu shërbejnë interesave e agjendave të huaja. Por “profesori i Kurtit” nuk ka treguar se cilave interesa të huaja është e gatshme t’iu shërbejë opozita.
Në shkrimin e tij, Sulstarova i cilëson deputetët e opozitës si qesharakë.
“Në radhën e parë të papërgjegjshmërisë dhe të gatshëm për t’u shërbyer interesave të huaja ka qenë opozita në Kuvendin e Kosovës. Partitë opozitare gjetën një rast tjetër për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, gjoja me pretendimin se vendimi i saj për të vijuar me zbatimin e ligjit po sillte izolimin e Kosovës nga Perëndimi dhe se qeveria e Kosovës nuk mund të ndërmarrë masa në komunat veriore pa bashkërendimin me NATO-n dhe BE-në. Deputetë të opozitës u bënë qesharakë duke dalë në foltore me bluza të stampuara me flamurin amerikan ose duke vendosur në faqet e veta virtuale flamurin amerikan, a thua se bandat e drejtuara nga Vuçiqi po sulmonin SHBA-në dhe jo institucionet e Kosovës.” – shkroi Sulstarova.
Tutje, aktivisti i VV-së, që ka botuar disa libra në të kaluarën, vlerëson se opozita pa u turpëruar treguan “mjerimin e tyre si politikanë”.
“Kosovaristët e thekur midis deputetëve të opozitës, ata që më parë kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje! për mosrespektim të simbolikës së republikës, duhej të ishin ngazëllyer që flamuri i shtetit (të cilin ata ndonjëherë e quajnë edhe flamur kombëtar), po valëvitej në ndërtesat e komunave, aty ku më parë ndodhej flamuri i Serbisë. Por jo, ata zgjodhën të valëvisin flamujt e SHBA-së dhe të NATO-s, në një përpjekje të kotë për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti. Pa u turpëruar, ata treguan mjerimin e tyre si politikanë dhe përfaqësues të vullnetit të popullit.” – shkroi ai.
Kujtojmë që Kurti në tetor të vitit të kaluar kishte marrë pjesë në promovimin e librit të Sulstarovës, të tituallu “Nacionalizmi”. Në promovimin të cilin e kishte ndërprerë, Kurti e kishte cilësuar Sulstarovën “mik dhe profesor.”
“I kërkoj falje Prof. Bekim Baliqit që ia ndërpreva fjalimin sot në Fakultetin Filozofik. Por, edhe unë isha brenda temës: promovimi i librit "Nacionalizmi" i Enis Sulstarovës, të cilin nuk e di se a e kam më shumë mik apo profesor, por sigurisht që të dyja këto. Studentëve e të pranishmëve të tjerë u thashë kushdo që don të merret me politikë, por edhe kushdo që nuk don të merret me politikë, për shkak të historisë apo për hir të ardhmërisë, duhet ta dëgjojë e lexojë profesorin e sociologjisë Enis Sulstarova.” – shkroi ai.
