“Akt terrorist e kriminal”, reagime të shumta për sulmin ndaj Policisë në veri
Mëngjesi i së premtes, ishte jo i mirë për Policinë e Kosovës në veriun e vendit. Derisa njesitet policore po patrullonin në pjesën veriore të Kosovës, ata u përballën me një sulm ende i pazbardhur në detaje.
E pak orë pasi ndodhi sulmi, i pari i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, mbajti një konferencë për media ku ofroi informacionet e para për sulmin, që ai e quajti terrorist.
Përveç cilësimit ‘sulm terrorist’, Sveçla tregoi se sulmi ndodhi derisa policët po shkonin për të realizuar ndërrimin.
Madje, i pari i Punëve të Brendshme ofroi edhe detaje për mjetet që u përdorën për sulmin ndaj njësiteve policore.
“Në vëri rreth orës 7 e 20 ka ndodh një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të zyrtarëve policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Nacionale.
Madje ai tha se në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë.
“Grupe të ndrysme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë. Sulmi parë ka ndodh, apo tentim sulmi duke vendos iriqa metalik në rrugën nacionale, në kohë përafërsisht të njëtë me sulmin e sotëm, që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës. Sulmi i dytë ka ndodh me gurë. Sulmi i tretë ka ndodh mbramë, ku është gjuajtur me armë zjarri dhe sot siç thash edhe më herët drejtpërdrejt janë godit dy veturat që transportonin zyrtarët policorë”, ka deklaruar Sveçla.
Katër sulme për tri ditë
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e drejtoi gishtin kah fqinji problematik i Kosovës.
I pari i ekzekutivit tha se sulmet po realizohen nga Serbia.
“Për tri ditë rresht (13 -15 prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
Tutje, Kurti i bëri thirrje Serbisë që të distancohet nga këto sulme terroriste, ku viktima nën uniformën e Policisë së Kosovës pati edhe serbë.
“Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i ka quajtur të orkestruara sulmet që ditëve të fundit nga persona ende të panjohur janë bërë ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Prej datës 13 e deri më sot kemi pasur sulme te organizuara e të sinkronizuara ndaj policisë së Kosovës. Vendet ku janë bërë sulmet janë shumë afër njëra-tjetrës. Kjo na bën me dije se kjo ka të bëjë më një grup të organzimuar që dëshiron ta pengojë policinë e Kosovës dhe t’i pengojë aksionet tona", ka deklaruar Mehmeti për sulmet.
Reagime të shumta
Katër sulme brenda tri ditësh ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore, kanë nxitur reagimet edhe të krerëve më të lartë shtetërorë.
Në mesin e tyre që reagoi ishte edhe presidentja Vjosa Osmani.
Shefja e shtetit, që është edhe komandante e FSK-së, ka mbledhur në një takim strukturat e sigurisë, përfshirë drejtorin e Policisë, të AKI-së e ministrin e Brendshëm.
Por gjatë tërë ditës nuk janë ndalur reagimet në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e quajti sulmin akt kriminal duke u bërë thirrje organeve përgjegjëse, t’i japin përgjigje meritore çdo përpjekjeje që cenon Kosovën dhe sovranitetin e saj.
“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë, është akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë u konvenon trazira dhe provokimi i paqes”, thuhej në postimin e tij.
Për sulmin, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Jeff Hovenier, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, ka reaguar sërish për sulmin e sotëm ndaj policisë së kosovës.
Ai shkroi sërish në Tëitter, ku tha se e dënon fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, por duke bërë me dije se duhet të kihet kujdes me spekulimet se prej nga kanë ardhur sulmet.
"Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne paralajmërojmë për kujdes ndaj spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore", shkroi Hovenier.
Edhe Bashkimi Evropian e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës duke bërë thirrje për mos spekulim për ngjarjen.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që t’i shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagim e BE-së.
Ndërsa reagimet pati edhe nga Serbia, e cila kërkoi nga të gjithë aktorët në Prishtinë “të përmbahen nga spekulimet e papërgjegjshme dhe jo të besueshme për ngjarjet në Zubin Potok".
Mediat e huaja gjatë ditës kanë shkruar për sulmin që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Mes tyre ishin Reuters dhe USNeës, të cilat raportuan se sulmi ndaj policisë ndodhi në kufirin e Kosovës me Serbinë, në vendin ku ka tensione ndëretnike me dekada të tëra.
Shkruan: Mirlind Behluli