Aktgjykimi i tretë i GjK-së e shpalli 'të shterruar' interpretimin: a do t’ia rrëzojë Srpska-s kërkesën për masë të përkohshme?
Nenad Rashiq, i zgjedhur Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës—pa propozim dhe pa vota të komunitetit serb—sërish e gjeti veten të deponuar në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe, në apelimin e tyre të dytë. Igor Simiq, tha se puna nuk ka të bëjë me “një pozitë parlamentare”, por se si përfaqësues të zgjedhur me votën më të madhe të dërgojnë “mesazhin” për respektin e të drejtave kushtetuese të serbëve “që të kenë përfaqësimin adekuat në institucione”. Më tej, Lista Serbe kërkoi sërish “masë të përkohshme” për të ngrirë punën e mëtejme të Kuvendit të Kosovës, “në mënyrë që të ndalen dëme të pariparueshme”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar Albin Kurtin për formim të qeverisë brenda afatit pesëmbëdhjetë ditor kushtetues me konstatimin e Kuvendit të Kosovës si “të konstituuar” me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si Nënkryetari i pesë i Kuvendit. 26 tetori është afati i fundit kur Albin Kurti duhet të dalë para deputetëve dhe të zgjedh ose jo qeverinë e re. Por, çka nga Aktgjykimi i fundit?
...
Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e tretë—në përgjigje ndaj Listës Serbe—përcaktoi se propozimi i Nënkryetarit serb të Kuvendit, e garantuar me Kushtetutë, bëhen nga grupi më i madh parlamentar i serbëve që mbajnë ulëse të rezervuara, dhe iu referua Rregullores së Kuvendit që është shkruar dhe votuar nga Vetëvendosje në korrik të 2022’ës. Ekskluziviteti i propozimit, në atë Rregullore, bie mbi shumicën e deputetëve që përfaqësojnë pakicën serbe. Por, Lista Serbe u mbivotua “kundër” në masë të madhe nga deputetët shumicë shqiptarë, dhe shumica shqiptare propozoi vet dhe zgjodhi Nënkryetarin serb të Kuvendit të Kosovës: Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, me 71 vota për Nenad Rashiqin.
Por, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, konstatoi se në rastin e tretë për seancën konstitutive, i ka “shterruar” interpretimet e dispozitave kushtetuese: duke lënë të kuptohet brendatekstit se më mund të mos e trajtojë si çështje seancën konstitutive dhe marifetet procedurale tash e nëntë muaj.
- Paragrafi 162 i Aktgjykimit: “Në fund, Gjykata konsideron se në përputhje me rolin e saj kushtetues si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e vënë në lëvizje përmes kërkesave të parashtruara në Gjykatë nga palët e autorizuara, në mënyrë shteruese ka interpretuar dispozitat kushtetuese sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit, të zhvilluar përmes Seancës Konstituive të tij të filluar më 15 prill 2025. Rrjedhimisht, Gjykata rithekson se Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të realizohet përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë në këtë rast edhe zgjedhjen e nënkryetarit/es nga radhët e komunitetit Serb, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës dhe çdo interpretim ndryshe do të relativizonte rendin kushtetues të Republikës së Kosovësdhe do të nënkuptonte tolerim të bllokimit institucional, në kundërshtim me natyrën funksionale të një demokracie të udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit”.

“Pranimi” i Nenad Rashiqit
Nenad Rashiq, deputet më vete nga komuniteti serb, një ditë para zgjedhjes së tij Nënkryetar nga Vetëvendosje dhe LDK, tha se “nuk shoh hapësirë më” për të kandiduar për Nënkryetar të Kuvendit, sepse, në leximin e tij, “Gjykata Kushtetuese i dha ekskluzivitet” Listës Serbe. Por, të nesërmen, ai e pranoi propozimin nga Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, pasi u shterruan votimet për Listën Serbe.
"Gjithmonë kam thënë se jam një politikan që mbaj përgjegjësi. Nëse deputetët vendosin të më zgjedhin, do ta pranoj si detyrë, në përputhje me përgjegjësinë që kanë edhe nënkryetarët e tjerë", pati thënë Rashiq para seancës.
Ai shtoi se besonte se këtë herë kishte mundësi reale që edhe partitë shqiptare ta mbështesnin, gjë që rezultoi me votën e VV-së dhe LDK-së. Dhe pasi u zgjodh nënkryetar, ai tha në një fjalim për mediat se "arsyeja më në fund triumfoi".
Ai vlerësoi se kjo "zhbllokoi procesin në të cilin ishin bllokuar për muaj të tërë" dhe shprehu shpresën se rezultati është një konfirmim i besimit që partitë politike i kanë dhënë atij. "Në fund, arsyeja, përgjegjësia dhe angazhimi ndaj institucioneve fituan", pati thënë Rashiq.