Aktakuzë ti, aktakuzë unë – kështu fati e do këtë punë: Zyrtarët e VV-së që kanë telashe me ligjin
Glauku, Xhelali, Arbëria, Saliu, Drita, Fitorja, Mimoza, Valoni, Pali, krejt këta emra kanë një emërues të përbashkët përveç liderit të tyre: AKTAKUZËN. Pra, secili veç e veç, janë të akuzuar dhe do të përballen me drejtësinë.
“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza” - përsëriste shpesh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës së fushatës zgjedhore.
“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza edhe pse më vjen keq për zyrtarin që e kam emëruar drejtor të zyrës për komunitete në ZKM Nenad Rashiq, i cili njëmend ka një aktakuzë. Por mos të harrojmë se prokuroria është pasive aty ku duhet më së shumti e është aktive aty ku s’ka prioritet realisht për drejtësinë”, vazhdonte fjalën e tij lideri më i pushtetshëm i të gjitha kohërave në Kosovë.
Tani kur vendi po udhëhiqet prej tij dhe aktakuzat në qeverisjen e tij po ‘vlojnë’, Kurti s’flet dhe s’merr masa për lirimin e vetes nga premtimi dhe lirimin e ministrave me aktakuza nga qeverisja e tij.
Edhe ndaj vetë kryeministrit Kurti janë bërë kallëzime penale. I fundit është nga Partia Socialdemokrate [PSD] e Dardan Molliqajt, të cilët po e konsiderojnë si “veteran të rrejshëm”.
Nacionale në shkrimin më poshtë ju tregon se për çka akuzohen emrat që i lexuat në paragrafin e parë të këtij teksti.
Për çka akuzohen ministrat e Kurtit?
Arbërie Nagavci
Po e fillojmë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit [MASHTI], Arbërie Nagavci.
Nagavci akuzohet për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Ajo së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Duhet të theksojmë se Nagavci përveç që ka aktakuzë prej të premtës del të jetë edhe shkelëse e aktit më të lartë jurdik të vendit, KUSHTETUËS, pasi me vendimin e saj të datës 23 prillit 2021, jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati.
Xhelal Sveçla
Xhelal Sveçla është ministri i radhës i Qeverisë Kurti që ka aktakuzë për “Përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi bashkë me deputetë të tjerë, kishin penguar deputetët e pushtetit të asokohshëm në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kallëzim penal ka pranuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Agjencia Kundër Korrupsionit [AKK] ka dorëzuar kallëzim penal ndaj saj për mos-deklarim të saktë të pasurisë.
Aktakuzë kishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar për kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, mirëpo Aliu është liruar nga këto akuza.
K U V E N D I, vend i aktakuzave
Në emrat e lartë-cekur ka edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku iu prin kryetari i tyre, Glauk Konjufca.
Glauk Konjuca akuzohet se më 10 gusht të vitit 2016 gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka hedhur gaz lotsjellës.
Si rezultat, ai akuzohet për veprën penale përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm sipas ligjit.
Një tjetër deputete me aktakuzë është edhe Mimoza Kusari-Lila e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ajo akuzohet për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’. Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shtije të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.
Në atë kohë, Kusari Lila kishte qenë ministre e Tregtisë dhe pjesë e komitetit ndërministror që kishte monitoruar procesin e privatizimit të KEK-ut.
Gjithashtu edhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi, Valon Ramadani dhe Jetmire Vrenezi akuzohen për “përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar”.
Derisa Sali Zyba akuzohet për “përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar” dhe “sulm ndaj personit zyrtar, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Teksa me aktakuzë ka edhe në partitë tjera.
Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK] akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.