Aktakuza ndaj Gërvallës: Tokë bujqësore në Dubovi, biznesin në Gjermani, çka nuk deklaroi kryediplomatja nga pasuria e saj?
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tashmë ka një aktakuzë për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktakuzën e plotë, e cila është ngritur më 31 janar të këtij viti nga prokurori Astrit Gashi.
Në dosje tregohet se kryediplomatja nuk kishte deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik, Komuna e Deçanit.
Gërvalla kishte deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Shefja e diplomacisë deklaruar “harruar” ta deklaronte edhe biznesin “Alb Lingua UG” të regjistruar në Bon të Gjermanisë, i cili ishte në emër të saj.
Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo në formular nuk kishte deklaruar të ardhurat e bashkëshortit të saj Stefan Schwarz.
Në këtë mënyrë Gërvalla akuzohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
Sipas aktakuzës, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, e cila parashihet në Kodin Penale të Republikës së Kosovës.
Duke u bazuar në këto të dhënë, Prokuroria ka kërkuar që Gërvalla të shpallet fajtore për veprën penale në fjalë.
Arsyetimi i Gërvallës
Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi është i përfshirë edhe deklarimi i kryediplomatës para organeve kompetente.
Në nëntor të vitit viti të kaluar, në Prokurori, ajo kishte deklaruar se nuk e ka ditur se në formularë është dashur të dekleraohen edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj.
“Sepse kam menduar që të dhënat personale të bashkëshortit tim, si nënshtetas gjerman, pa asnjë lidhje fizike apo ligjore me Kosovën mbrohen edhe në Kosovë nga ligji gjerman, aq më tepër se im shoq përveç pagës mujore nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të cilat do të vinin në konsideratë për t’u deklaruar në atë formular”, është shprehur Gërvalla, duke shtuar edhe detaje tjera.
“Në deklarimin retrospektiv të vitit 2021 i kam përfshirën edhe të ardhurat e bashkëshortit tim rreth 54 mijë euro vjetore. Kjo ka ndodhur pasi jam njoftuar nga AKK se sipas tyre duhet deklaruar edhe të ardhurat e pasura e shtetasit të huaj. Nuk jam shumë e bindur se një gjë e tillë është e vërtetë, por më gjithë atë, për të evituar keqkuptimet e kam përshirë edhe bashkëshortin tim në këtë deklarim.”, kishte thënë ajo.
Ajo ka dhënë shpjegim edhe për parcelën e tokës në Dubovik.
“Në konstatimin tim rreth sipërfaqeve të parcelave unë jam bazuar në konsultim pikërisht me banorin e shtëpisë, duke llogaritur që askush më mirë se ai nuk mund të bëjë vlerësimin. Certifikatë të pronësisë unë personalisht asnjëherë nuk kam pas në dorë, por uni e di se jam lajmëruar vite më parë në telefon se një certifikatë e tillë ekziston dhe është dorëzuar vite më parë tek banorët e shtëpisë tonë në Dubovik”, kishte treguar ajo.