Aksioni i sotëm pa urdhër të Prokurorisë, Molliqaj: Policia e Kosovës po bëhet mjet i fushatës zgjedhore
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas aksionit në strukturat ilegale serbe që u bë pa urdhër të Prokurorisë.
Molliqaj ka thënë se vendi po shkon drejt diktaturës.
“Aty ku ka urdhër por jo ligj, ku ka polici por jo gjyq, ai vend po shkon drejt diktaturës. Kur hallka e gjyqësorit këputet, njerëzit rrezikohen. Sot mund të jetë kundër strukturave ilegale, nesër mund të jetë kundër teje që nuk pajtohesh me Qeverinë. Kush s’don ligje e gjykatë, por polici dhe urdhër, nuk e ka qëllim drejtësinë, por shtypjen.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
Aty ku ka urdhër por jo ligj, ku ka polici por jo gjyq, ai vend po shkon drejt diktaturës. Kur hallka e gjyqësorit këputet, njerëzit rrezikohen. Sot mund të jetë kundër strukturave ilegale, nesër mund të jetë kundër teje që nuk pajtohesh me Qeverinë. Kush s’don ligje e gjykatë, por polici dhe urdhër, nuk e ka qëllim drejtësinë, por shtypjen.
Sot, Policia e Kosovës po bëhet mjet i fushatës zgjedhore. Ata sot kanë kryer kontrolle e bastisje pa urdhër prokurori a leje gjykate. Mjafton dyshimi se ato janë struktura paralele serbe. S’ka rendësi çfarë mendojmë ne për Serbinë dhe strukturat e saj. Veprimi arbitrar është kambanë diktature.
Një prej kritereve se si mund të matet demokracia dhe liritë e njerëzve në një vend është mënyra se si pushteti e përdorë policinë. Kur policia ndahet prej Prokurorisë e Gjykatave për t’u bërë vegël e pushtetit politik, ai vend po shkon drejt diktaturës.