Aksioni i Prokurorisë së Prizrenit, arrestohen dy ish-drejtuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimeve
Gjatë aksionit të sotëm të Prokurorisë së Prizrenit ndaj ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve janë arrestuar disa persona.
“Betimi për Drejtësi” raporton se në këtë aksione është arrestuar ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha.
Sipas media në fjalë, aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e disa veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.
Në këtë aksion janë të përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe zyrtarëve policorë.
Kurse, “KALLXO.com” ka dhënë detaje tjera në lidhje me aksionin në fjalë.
Kjo media ka raportuar se aksioni është drejtuar nga tetë prokurorë dhe është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Në listën e të dyshuarve, sipas kësaj media, janë 45 qytetarë.
Dy nga të dyshuarit, Sami Mazreku dhe Valon Berisha dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm duke keqpërdorur pozitën zyrtare.
Rolin kryesor në dëmin që pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të Byrosë, sipas “KALLXO.com”, kap vlerën mbi 1 milion euro.
Sipas këtyre dyshimeve, Mazreku dhe Berisha kanë marrë llogaritë bankare të 45 qytetarëve, tek të cilët kanë transferuar mjete financiare përmes marrëveshjeve të parapërgatitura, nga të cilat kanë përfituar mijëra euro.