Ahmeti: Ajo që më pengon është se ende po diskutojmë nëse do të ketë Asociacion
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se diskutimet në lidhje me formimin e Asociacionit janë të panevojshme, pasi formimi i tij është diçka që tashmë është vendosur.
Kjo deklaratë u bë gjatë një debati në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova. Ahmeti vlerësoi se kryeministri Albin Kurti ka gjetur një strategji të mirë për të ndjekur në këtë çështje, duke thënë se e pranon marrëveshjen e formimit të Asociacionit dhe pastaj duke diskutuar pikat e tij, në vend që të vazhdojë të refuzojë idenë e Asociacionit.
“Ajo që po me pengon në diskutimet tona është që ne ende diskutojmë a do të ketë Asociacion a jo e mendoj që kjo nuk është fare diskutim. Unë mendoj që kryeministri Kurti po mendon se e ka gjet një strategji të mirë, e ajo që është që të duket konstruktiv duke thënë e pranoj marrëveshjen e pastaj duke thënë 5 pikat e para të 16 pikave të marrëveshjes së 16 nga 39 marrëveshje.” – tha Ahmeti.