"Agresori dhe viktima": Pyetjet e vështira të eurodeputetit Gahler për Llajçakun
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka bërë një numër pyetjesh ndaj emisarit special të BE-së për dialog, z. Mirosllav Llajçak, në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Çka i tha saktë ai?
Llajçak ishte i ftuar dje për të informuar eurodeputetët e komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian në lidhje me zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
E, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, që është zëdhënës i Grupit Parlamentar të EPP-së (Partive Popullore Evropiane, grupim partish në të cilin bën pjesë edhe LDK-ja e Abdixhikut) kishte disa pyetje mjaft të rënda për të.
“Pasi kam parë aktivitetet tuaja prej që morët funksionin tuaj, unë shoh se ju po mbani më shumë anën e agresorit se sa të viktimës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Por, a e ndjeni besimin si të serbëve si të kosovarëve?” – nis me pyetjet e tij z. Gahler.
Ai tutje shkon duke denoncuar Serbinë, e me këtë edhe qasjen e emisarit Llajçak në dialog.
“Ne të gjithë i dimë veprimet e qeverisë dhe liderëve të Serbisë: Davidi iu referua targave të veturave, tërheqjes së zyrtarëve nga institucionet publike, mos-pjesëmarrjen në zgjedhje, koordinimin në politikë të jashtme me Rusinë, animin me kriminelët e dënuar të luftës, premtimet e shkelura, mos-nënshkrimin e marrëveshjeve, mos-pjesëmarrjen në takimet tuaja të dialogut etj.” – numëroi eurodeputeti.
Por, ai vazhdoi tutje në adresimin e tij ndaj z. Llajçak.
“E gjithë kjo kontribuon në një opinion publik në Kosovë që thotë jo, ne nuk duam kurrfarë koncesioni, madje edhe nëse ata (Serbia) na njeh neve. Ajo që s’e di z. Llajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej që publikisht të kritikonit edhe Vuçiqin?” – vijoi Gahler në fjalën e tij.
“A nuk duhej BE-ja të ndalte apo kërcënonte pakësimin e parave që i shkojnë Serbisë? A nuk duhej të adresonit nacionalizmin serb është është shkaku kryesor për pasigurinë dhe frikën në mbarë Ballkanin Perëndimor. Cilat janë fjalët tuaja dhe të z. Borrell për qytetarët e Serbisë që protestojnë në numër të madh kundër qeverisë së tyre? Mendoj që Kosova është vendi më pro-Perëndimor në rajon me arritje politike që e çojnë në drejtimin tonë, me arritje në anti-korrupsion, me forcim të sundimit të ligjit, me demokraci stabile, me rritje ekonomike, me një qeveri me mbështetje të madhe publike dhe me 100% rreshtim deklaratat tona për politikë të jashtme. Dhe Kosova është e hapur për një zgjidhje të balacuar me Serbinë por po kërkon që nuk kënaq presidentin serb dhe nuk iu bën presion viktimave.”
Më pas ai pyeti Llajçakun se kur mendonte që do të kishin një kthim të Vuçiqit nga konfrontimi në bashkëpunim.
Emisari Llajçak është kritikuar se ka mbajtur anën e Serbisë edhe nga ana e profesorit amerikan Marc Weller që e kishte këshilluar kryeministrin Kurti për çështjen e dialogut.

