AGK kundërshton kufizimin e punës për gazetarët në Kuvendin e Kosovës - NACIONALE

AGK kundërshton kufizimin e punës për gazetarët në Kuvendin e Kosovës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës së punës për gazetarët në Kuvend.

Përmes një reagimi në Facebook, AGK ka thënë se gazetarët njoftuan që të enjten janë kufizuar në kryerjen e detyrave nga Kuvendi i Kosovës.

“Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve. AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi.” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, AGK ka thënë se ky vendim s’i kontribuon transparencës së punës së deputetëve që janë zgjedhur nga qytetarët.

“AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut. Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit.” – thuhet tutje.

Ndërkohë, komunikime me sms, lojëra të ndryshme në telefon kanë qenë këto pamjet që mediat përfshirë Nacionalen, kishin siguruar të deputetëve gjatë seancave.

Megjithatë, kjo tash do të jetë e pamundur. Kjo pasi Zyra e Kryetarit të Kuvendit ka vendosur që t’i largojë për një metër deputetët nga ballkoni i Kuvendit.

Kështu njoftoi më herët ekipi i Nacionales që gjendet në vendin sallën e seancave.

Nuk dihen ende arsyet e vendimit, megjithatë bëhet e ditur se kjo vjen pas pamjeve të mediave të deputetëve teksa bëjnë veprime të ndryshme.

Lajme të ngjashme