AGK-ja reagon për sulmin ndaj ekipit të Nacionales: Rasti të trajtohet me prioritet
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit që pësoi ekipi i Nacionales nga sigurimi i Spitalit të Gjakovës.
Në një postim në facebook, AGK-ja ka kërkuar që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë rastin me prioritet.
Komunikata:
Sulmohet fizikisht kameramani i Nacionales në Gjakovë
Kameramani i gazetës online Nacionale, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht sot në afërsi të Spitalit të Gjakovës nga pjesëtari i sigurimit të këtij spitali.
Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.
Sipas raportimeve të Nacionales, kolegët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës. Njëherësh, bëhet e ditur se pjesëtari i sigurimit që e ka kryer këtë sulm është ndaluar për 48 orë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin.