AGK-ja jep detaje për sulmin ndaj gazetarëve: Bardh Bekteshi ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup - NACIONALE

AGK-ja jep detaje për sulmin ndaj gazetarëve: Bardh Bekteshi ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin e sotëm të gazetarëve në Leposaviq.

Përmes një komunikate për medie, AGK-ja ka treguar se nga sulmet brutale të grupeve kriminale në veri kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren. Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, është thënë në komunikatën e AGK-së.

Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar për sulmet që kanë përjetuar.

Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”, ka thënë ajo.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, iu ka bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri për gazetarët që po i përcjellin zhvillimet në komunat veriore.

Lajme të ngjashme