Agjencia “Reuters” raporton për mosmarrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për targat - NACIONALE

Agjencia “Reuters” raporton për mosmarrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për targat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka raportuar për takimin mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel dhe për paralajmërimin e Bashkimit Evropian për mundësinë që situata të eskalojë pas dështimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për targat ilegale të serbëve. Ja çfarë shkroi kjo agjenci.

Reuters

Bashkimi Evropian të hënën paralajmëroi për “eskalim dhe dhunë”, pasi bisedimet urgjente mes Kosovës e Serbisë dështuan që ta zgjidhnin mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për targat e veturave që përdoren nga pakica etnike serbe në Kosovë.

“Pas shumë orëve diskutime... dy palët nuk u pajtuan për një zgjidhje sot”- tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë për medie.

“Mendoj se është një përgjegjësi e rëndësishme në anët e të dy udhëheqësve për dështimin e bisedimeve sot dhe për ndonjë eskalim ose dhunë që mund të ndodhë në terren gjatë ditëve të ardhshme”- thuhet më tej në deklaratë.

Borrelli më vonë diskutoi për këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha në një shkrim në Twitter se forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë është “vigjilente”.

“Tash është koha për përgjegjësi e zgjidhe pragmatike. Eskalimi duhet të shmanget”- tha ai.

Të hënën vonë, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, u bëri thirrje të gjitha palëve për të shmangur çfarëdo veprimi që do të mund ta përkeqësonte situatën.

Një zëdhënës i KFOR-it tha se gjenerali është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe e theksoi rëndësinë e shmangies së eskalimit.

Rreth 3.700 paqeruajtës të NATO-s ende ndodhen në ish-provincën serbe për ta parandaluar dhunën mes shqiptarëve e serbëve.

Kosova është munduar këtë vit që të kërkojë nga pakica serbe që t’i ndryshojë targat e veturave që datojnë para vitit 1999, kur Kosova ende ishte pjesë e Serbisë. Serbët në pjesën veriore të vendit kanë rezistuar, nganjëherë në mënyrë të dhunshme, por Kosova ka thënë se do ta fillojë shqiptimin e gjobave nga e marta.

Borrelli tha se një propozim i BE-së do të mund t’i shmangte tensionet, por përderisa presidenti serb, Aleksander Vuçiq, e pranoi propozimin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi.

Borrelli gjithashtu tha se ai do t’i informojë shtetet e BE-së për “mungesën e respektit të të dyja vendeve për obligimet e tyre ndërkombëtare ligjore”, dhe paralajmëroi se, duke e marrë parasysh zotimin e tyre për anëtarësim në bllok, ato duhet të veprojnë në këtë frymë.

“Pala serbe ishte tërësisht konstruktive dhe ne po pranonim tekste që ishin ndryshuar dhjetë herë, por pala shqiptare nuk deshi të pranonte asgjë, as për një sekondë, ata gjithmonë shtonin diçka që qartazi nuk ishte e mundshme”- u tha Vuçiqi gazetarëve pas takimit.

Kurti tha se është i gatshëm për të mbajtur takime të mëtejshme për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit e Prishtinës, jo vetëm të merret me një çështje.

“Ne nuk mund të jemi të papërgjegjshëm dhe të mos i trajtojmë çështjet aktuale... Ne nuk mund ta shndërrojmë veten në udhëheqës shtetërorë që merren vetëm me targat e veturave dhe nuk flasin për atë se si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre”- u tha ai gazetarëve në Bruksel.

Duke folur në Beograd pas takimit në Bruksel, Vuçiqi tha se do të takohej me serbët e Kosovës të hënën vonë për të kërkuar nga ta që të mbeten të qetë.

“I pranuam të dhënat e fundit të inteligjencës para pak kohe, situata është shumë e vështirë dhe është buzë konfliktit. Ne do të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen”- shtoi ai.

Vuçiqi gjithashtu tha se Serbia do ta ndërpresë lëshimin dhe vazhdimin e afatit të targave për Kosovën veriore.

Mosmarrëveshja për targat e veturave i ka rritur tensionet për gati dy vjet mes Serbisë dhe ish-provincës së saj të ndarë, e cila e shpalli pavarësinë më 2008 dhe është vendbanim i një pakice serbe në pjesën veriore, e cila përkrahet nga Beogradi.

Rreth 50.000 serbë etnikë që jetojnë atje, refuzojnë që ta njohin autoritetin e Prishtinës dhe ende e konsiderojnë veten pjesë të Serbisë.

Qindra zyrtarë policorë, gjykatës, prokurorë dhe punëtorë të tjerë shtetërorë të pakicës serbe dhanë dorëheqje këtë muaj, pasi qeveria në Prishtinë vendosi që serbët lokalë duhet që më në fund t’i zëvendësojnë targat e veturave të lëshuara nga autoritetet komunale serbe të Kosovës veriore, që janë besnike ndaj Beogradit, me targat e lëshuara nga Kosova.

Borrelli i bëri thirrje Kosovës që menjëherë ta pezullojë riregjistrimin e automjeteve në Kosovën veriore dhe i kërkoi Serbisë që ta pezullojë lëshimin e targave të reja të automjeteve, duke u lejuar palëve “hapësirë dhe kohë” për të gjetur një zgjidhje.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së “në thirrjen ndaj Kosovës për të pezulluar menjëherë çfarëdo mase të planifikuar që do t’i eskalonte tensionet, përfshirë shqiptimin e gjobave për automjete” dhe që të dyja palët duhet “të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme