Afaristët në Prishtinë me ankesë për kryetarin Rama për rritjen e çmimeve të qirave: Ne po kalojmë kohën më të keqe
Afaristët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), saktësisht ata që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë tek rruga “Agim Ramadani” në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me shtrenjtimin e qirave të lokaleve.
Ata përmes një ankese kanë thënë se po kalojnë kohën më të keqe që nga paslufta për shkak të pasojave mbi dyvjeçare të pandemisë COVID-19.
Sipas tyre, kjo rritje e çmimeve të qirave në këtë kohë është e papërshtatshme.
“Si i gjithë vendi, edhe ne po kalojmë kohën më të keq që nga paslufta për shkak të pasojave mbi dyvjeçare të pandemisë COVID-19. Përderisa kësaj i shtojmë edhe ikjen masive të popullatës në vendet perëndimore ne si afaristë që kemi për target kryesisht moshën rinore dhe të mesme vuajmë pasojat e këtyre dy trendeve të fundit dhe përballemi me rënie drastike të punës e që për pasojë mezi arrijmë t’ia dalim nga muaji në muaj. Ju, Rama, si kryetar i Prishtinës bashkë me NPB-në keni gjetur kohën më të papërshtatshme për të hapur çështjen e ngritjes së qirasë në një formë të prerë siç na u komunikua edhe nga takimi me zyrtarët e NPB-së”, thuhet në ankesëne tyre drejtuar kryetarit Rama.
Ata tutje kanë thënë se e kundërshtojnë rritjen e çmimit të qirave. Ata kanë kritikuar formën se si kanë kuptuar që qiratë e lokaleve të tyre janë rritur. Ankesa e tyre gjithashtu ka të bëjë me pamundësinë e negociomit për këtë çështje.
“Ju vejmë në dijeni se në rast se edhe ju jeni mbrapa këtij vendimi (NE SI QIRAMARRËS) ju kundërshtojmë fort dhe pabindshëm në realizimin e kësaj ngritje të qirasë në këtë mënyrë. Duke llogaritur që ne si qiramarrës disavjeçar do duhej të krijonim një marrëdhënie bashkëpunimi si institucione e qytetar fillimisht e pastaj ne si klient NPB bashkë me Komunën e Prishtinës në mënyrë arbitrare sjellin vetëm njoftimin për rritje të qirasë gjë që nuk ndodhë as në një marrëdhënie të biznesit privat me klient. Nuk keni dhënë fare hapësirë negociuese në këtë rast dhe nuk keni qenë të gatshëm as Ju e as NPB që të na konsultojë paraprakisht që të arrijmë një modus të kësaj çështje të ngritur”, thuhet tutje në ankesën e tyre.

