Adriatik Kelmendi: Çeku nuk e refuzoi debatin, por duket se Vetëvendosje po vendos për veprimet e tij
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pas refuzimit të VV-së për të marrë pjesë në debatin për Prishtinën, në Klan Kosova.
Kelmendi ka thënë se Hajrulla Çeku nuk e ka refuzuar ftesën, por që sipas tij, duket se partia po vendos.
Postimi:
Faleminderit për qartësimin që e paska bërë zëdhënësi i partisë “Vetëvendosje!”.
Kam dy sqarime të thjeshta.
I pari dhe më i rëndësishmi: TË HËNËN, prej orës 21:00, në RUBIKON në KLAN KOSOVA do të MBAHET DEBATI I PARË BALLAFAQUES I KANDIDATËVE PËR KRYETAR TË PRISHTINËS.
Me kënaqësi shumë të madhe pjesëmarrjen e ka konfirmuar Përparim Rama, Uran Ismaili, Bekë Berisha dhe Besa Shahini.
E dyta, më pak e rëndësishme: As unë, as ekipi i Rubikon, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk i ka bërë asnjë ftesë partisë “Vetëvendosje!” për ta dërguar ndonjë kandidat të kësaj partie për kryetar komunash në studio. Rubikon gjatë kësaj kohe nuk e ka ftuar partinë “Vetëvendosje!” në studio.
E vërteta është që unë e kam ftuar personalisht kandidatin e LDK-së, Rama, të PDK-së, Ismaili, të AAK-së, Berisha, të PSD-së, Shahini, si dhe kandidatin e LVV-së, z. Hajrullah Çeko.
Katër të parët menjëherë e kanë konfimuar pjesëmarrjen, madje pa folur me partitë e tyre.
Z. Çeko, duke më falëmnderuar për ftesën, me shkrim, më është përgjigjur me shumë mirësjellje se një zyrtar nga ekipi i tij do të më kontaktojë lidhur me ftesën.
Për hir të konfidencialitetit profesional unë nuk do të zbuloj bisedat me dy përfaqësues të ekipit të kandidatit të LVV-së për Prishtinën, z. Çeko. Ajo që mund të zbuloj, tash për tash, është se kam zhvilluar një takim me një të dërguar të z. Çeko në zyrën time në Klan Kosova, si dhe dy biseda telefonike me një përfaqësues tjetër të tij (e dyta telefonatë - sot paradite). E konfirmoj përtej çdo dyshimi se as z. Çeko, as dy përfaqësuesit e tij nuk më kanë thënë asnjëherë se ai nuk do të vijë në Rubikon. Kjo është e vërteta.
Gjithçka tjetër, jashta kësaj që u tha mësipër, mund të jetë vetëm spekulim.
Thënë këto, unë e respektoj edhe të drejtën e z. Çeko, si kandidat për kryetar Prishtine, që jo ai vetë, por partia “Vetëvendosje!” të vendos për veprimet e tij.
Z. Çeko vazhdoj t’i uroj suksese në rrugëtimin politik!
Ne shihemi TË HËNËN, në DEBATIN E PARË PËR PRISHTINËN ME KANDIDATËT PËR KRYETARË, në RUBIKON në KLAN KOSOVA.
Ora: NJËZET E NJË ZERO ZERO.