Admirali amerikan kërkon përmbajtje nga "veprimet e njëanshme": Situata është e brishtë
Duke iu referuar vitit 2023 si "më i dhunshmi i dekadës së fundit", komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch, theksoi edhe një herë "britshtësinë e situatës" në Kosovës. E gjithë kjo, sipas admiralit amerikan, buron nga fakti se situata mund të përshkallëzohet në një kohë tejet të shkurtër.
Në këtë kontekst, Munsch, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ritheksoi domethënien e pasojave që mund të kenë veprimet e njëanshme, qoftë edhe ai për hapjen e urës mbi lumin Ibër, vendimi për të cilin ai tha se duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
"Situata është e qëndrueshme tani, por e brishtë. Është e qëndrueshme ngaqë i kuptojmë rrethanat dhe i kemi forcat në terren. Por brishtësia buron nga fakti që këtu dhuna mund të shpërthejë shumë shpejt. Sërish, shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme." - tha ai.
Ai paralajmëroi se rreziku mbetet konstant, duke përmendur mungesën e përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE midis Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur për porosinë se “politika e NATO-s mbi urën është që të mos hapet në këtë moment dhe se ajo duhet t’i nënshtrohet dialogut ndërmjet palëve të interesuara", me rastin e ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it në Kosovë, Munsch përmendi edhe një herë "dialogun" si "mënyrën më të mirë për stabilitet të përhershëm."
"NATO-ja është neutrale sa i përket rrethanave këtu. Të gjitha qeveritë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është mënyra më e mirë për të zgjidhur dallimet dhe për të krijuar stabilitet të përhershëm." - tha ai.
"Viti 2023 ishte viti më i dhunshëm në Kosovë në dy dekadat e fundit, bashkë me sulmin ndaj forcave të KFOR-it në muajin maj dhe pastaj me sulmin tjetër në shtator, gjatë të cilit u zbulua një sasi e madhe armësh." - tha ai më tej.
Admirali vuri në dukje se kërcënimi më urgjent i sigurisë në rajon nuk janë vetëm veprimet formale ushtarake, por përfshirja e mundshme e grupeve kriminale, aktorëve individualë ose operativëve joshtetërorë – disa ndoshta të mbështetur nga qeveritë e huaja.
"Aktualisht shqetësimi kryesor është retorika nxitëse politike në këtë periudhë, që mund të nxisë qoftë aktorë individualë apo aktorë joshtetërorë të ndërmarrin veprime të dhunshme, për të shfaqur pakënaqësitë e tyre. Mund të jenë grupe kriminale, mund të jenë aktorë individualë, mund të jenë nga shtete të jashtme apo mund të jenë operativë të zonës gri, që mbështeten nga shteti." - theksoi ai.
Kujtojmë se NATO-ja shtoi numrin e forcave paqëruajtëse pas sulmit terrorist në shtator të vitit 2023, kur një grup sulmuesish të armatosur rëndë nga Serbia papritmas hasën një patrulle të policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku ndërsa Njesitët Speciale të Policisë së Kosovës arriten t'i eleminon 3 sulmues.
Incidenti ishte i fundit në një seri përleshjesh përgjatë 2023-ës, duke përfshirë protesta të dhunshme katër muaj më parë, ku mbi 90 paqeruajtës të NATO-s u lënduan nga protestuesit serbë.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e sulmit në Banjskë, një akuzë që Beogradi e mohon.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar shtetit serb vënien para drejtësisë të sulmuesve.
Aletat e Prishtinës gjithashtu kanë kritikuar në disa raste qeverinë e Prishtinës për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme nën argumentiin se mund të përkeqësojnë tensionet etnike dhe të rrezikojnë sigurinë e 4,000 trupave të NATO-s të vendosura në zonë.