Abdixhiku: Vetëvendosje e kanë gjetur partnerin, Haradinaj tregoi mençuri me refuzimin e ftesës - NACIONALE

Abdixhiku: Vetëvendosje e kanë gjetur partnerin, Haradinaj tregoi mençuri me refuzimin e ftesës

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, beson se pas takimit të fundit mes kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministrit Kurti, partia në pushtet tashmë ka “gjetur një partner”.

“Besoj që e gjetën një partner. Përgjigja e duhur ndaj ftesës së kryeministrit do të duhej të ishte ‘Kryeministër, merru me KiE-në”, tha ai ndër të tjera në “Pressing”.

I pari i LDK-së tha se kryeministri po e dëshiron shpërbërjen e Kuvendit sepse dëshiron ndarjen e përgjegjësisë.

“Nuk është faji i Kuvendit. Kuvendi i Kosovës është funksional, është i dobët po është reflektim i popullit. Faji është i Qeverisë. Kryeministri është dorëhequr, po kërkon zgjedhje por duke shpërndarë përgjegjësinë e tij”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha më tej se “gjithmonë kam thënë se opozita nuk ka qenë asnjëherë një”.

Sipas tij, darka mes Vetëvendosjes dhe PDK-së “e ka vërtetuar këtë”.

Në anën tjetër, ai çmoi lëvizjen e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në lidhje me refuzimin e ftesës.

“E vërteta është që kemi një kryeministër që ka dështuar dhe duhet mbajtur përgjegjës. Asgjë nuk guxon ta mbulojë këtë gjendje, prandaj e çmoj veprimin e z. Haradinaj, ka treguar maturi dhe mençuri në një lëvizje të tillë, sepse saktë e ka kuptuar se çfarë po ndodhë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku për KiE: Dështim spektakolar, i ka mashtruar edhe aleatët

Dështim spektakolar e ka quajtur Abdixhiku çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Këshilli i Evropës është dështim spektakolar për ka qëllimi, për ka strategjia që e ka ndjekë Qeveria dhe për nga kushti që na ka mbet neve’’, tha ai.

Sipas tij, ‘’Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Për Evropë është njëjtë si të anëtarësohemi në OKB. Dështimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është humbje kapitale’’.

I pari i LDK-së tha se Qeveria i ka mashtruar aleatët.

“Kur flasin me aleatët mendojnë se po flasin me militantët e tyre. Tash letrat e shtetit të Kosovës, s’kanë vlerë për aleatët e shtetit tonë. Ata nuk i besojnë institucioneve të Kosovës, për herë të parë në histori nuk na besojnë aleatët. Heqja-dorë prej orientimit atlantik është dezertim prej interesave strategjike të Kosovës. Me gjithë mençurinë të tij, rezultati përfundimtar i tij mos anëtarësim në Këshill të Evropës, kushti për autonomi do të mbetet, Manastiri i Deçanit u dha, por nuk u anëtarësuam. Kjo është sjellje e papërgjegjshme e tyre’’, tha Abdixhiku.

Lajme të ngjashme