Abdixhiku për Shyqri Nimanin: Sot ikja e tij na lë me trishtim
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas vdekjes së Shyqri Nimanit ka thënë se Kosova ka humbur një njeri të madh, si dhe ju ka shprehur ngushëllime familjareve.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se këtë vit ka pas nderin që ta vizitojë Shyqri Nimanin në përvjetorin e pavarësisë.
Ai ka shkruar se ikja e tij na lë me trishtim, dhe sipas tij përtej trishtimit një jetë e tërë kontribut e suksesi na shpërfaqet me emrin e tij.
Postimi i plotë:
Një kujtim personal për një njeri të madh
Profesor Shyqri Nimani na la sot. Atë pata nderin ta vizitoj këtë vit, në përvjetorin e pavarësisë. Paska qenë viti i fundit i tij. Paska qenë takimi i fundit ky. Sa pak dimë.
E pimë kafen e pasdites bashkë. Më foli shkurt për 16 orët e dedikuara në shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Më foli gjatë për jetën, të bukurën, të ligën, të shkuarën e të ardhmen. Më foli me plot pasion për antikën, artin e dizajnin. Me një shije humori të hollë, me një sjellje prej zotërie të rëndë, mes përvojës të pafundme e mendjehapjes së kohës, dukej se ishim moshatarë; veçse ai ishte një mësues me një jetë të tërë pas.
Folëm gjatë, teksa mes shkrimit më të bukur që kisha parë ndonjëherë, mora si dhuratë të fundit librat e tij. Ju ktheva sot atyre sërish. Më përcolli deri jashtë; s’futej brenda në banesë derisa s’u pamë. Ishte shkurt; muaji shkurt, por ishte ngrohtë. Ai e bënte secilin rreth tij të ndihej mirë me aq shumë ngrohtësi.
Sot, ikja e tij na lë me trishtim; por përtej trishtimit një jetë e tërë kontribut e suksesi na shpërfaqet me emrin e tij. Pusho në paqe profesor. Të faleminderit për gjurmët e lëna në këtë kohë.
Zonjës Samile, Adrianës, Norës, Albanit dhe Agonit ngushëllime për humbjen e madhe. Kosova humbi një njeri të madh. Të mburreni për bashkëshortin e babën që keni pasur.
