Abdixhiku pasi qëndruan në Kuvend: Le të jetë fillim i diskutimeve pas uzurpimit që po ia bën VV-ja
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të partisë për të qëndruar në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të seancës konstituive.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se ky është një fillim i diskutimeve parlamentare “pas uzurpimit që po i bën Kuvendit partia e parë”.
“Sot, ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrinë të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës. Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional.
E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z.Konjufca - kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake. Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend” – ka thënë ai.
Në fund, Abdixhiku ka shtuar:
“Kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë.
Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin.
Ne le të flasim. Para shumicës qytetare në vend. T’i shtrojmë të gjitha çështjet që pas perdeve të krizave po marrin peng të ardhmen e vendit”.