Abdixhiku pas tubimit në Deçan: Tash po e kuptoj pse na kanë aq shumë zili e po thonë tani ne jemi LDK - NACIONALE

Abdixhiku pas tubimit në Deçan: Tash po e kuptoj pse na kanë aq shumë zili e po thonë tani ne jemi LDK

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten ka mbajtur tubimin në komunën e Deçanit. Kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, pas të njëjtit ka thënë se “tash po e kupton se pse në këtë fushatë, të gjithë po na kanë zili”.

Një shkrim në rrjetin social Facebook, ai e ka filluar me: “DEÇAN çka keni ba’ kështu?!”

Ai i ka ftuar qytetarët që t’i besojnë LDK-së dhe t’i japin votën numrit 124 në zgjedhjet e ardhshme.

“Tash po e kuptoj se pse në këtë fushatë, të gjithë po na kanë zili; të gjithë duan të duken sikurse ne! Aq shumë zili na kanë, sa që tani po thonë ne jemi LDK! Them ta ndryshojmë slloganin sot, Nga bëhu ndryshimi në ‘Krejt Kosova LDK’! E meqë duan të na ngjasojnë, e meqë aq shumë duan të duken si ne, le tua bëjmë më të lehtë! Le të votojnë drejt LDK, le të votojnë 124 Sepse ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës! Nga 1989 deri më sot. LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI! Jeton të lumtë! Armend, Fadil, Hysen e Zeqir, suksese!” – ka shkruar ai.

Ndërkohë, në tubimin atje, Abdixhiku përmendi premtimet e LDK-së.

“Në Kosovën e territ, të qirinjve e të reduktimeve, në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke thënë ‘paskemi zhvillim ekonomik’, në këtë Kosovë, do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj. 500 milionë euro investim, për centralin me gaz amerikan, për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas edhe energji më të lirë. Sepse, për ne, të djathtit, Lidhjen Demokratike, energjia është ekonomi dhe siguri. Prandaj, energji me gaz, prandaj energji me gaz amerikan”.

“Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur. E për të gjithë fëmijët e Kosovës, ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të sigurojë mësim gjithëditor” – tha kandidati për kryeministër nga LDK.

Ndryshe, më herët në një video të publikuar nga Deçani, salla dëgjohej duke kënduar “Besa-besë” derisa ishin në pritje të Abdixhikut.

Ky i fundit, bashkë me zyrtarë të partisë, më herët të premten qëndruan edhe në qytetin e Pejës.

Lajme të ngjashme